
Pas muajsh të tërë që përflitej, më në fund këtë javë u zyrtarizua transferimi i Markus Rashford te Barcelona, në formë huazimi për një sezon, me mundësi blerjeje për 30 milionë euro.
Megjithatë, jo të gjithë janë të lumtur te Barcelona për ardhjen e anglezit. “El Nacional” raporton se Lamin Jamal nuk e ka pritur mirë transferimin e Markus Rashford dhe është i zemëruar me drejtorin sportiv Deko dhe presidentin e klubit, Joan Laporta. Sipas raportimit në fjalë, para se Jamal të rinovonte me Barcelonën, një nga kushtet ose të themi dëshirat e tij, ishte edhe transferimi i Niko Uilliams, gjë që nuk ndodhi dhe marrëveshja u prish në fund fare. Jamal është i bindur se drejtuesit e Barcelonës nuk kanë bërë gjithçka ç’të ishte e mundur për të transferuar në të vërtetë Niko Uilliams.
Gjithashtu, ai është i mërzitur me drejtuesit e klubit që nuk e kanë informuar mbi bisedimet me Markus Rashford dhe transferimin e tij, si dhe për faktin që nuk i kanë kërkuar mendim për asnjë moment, gjë kjo që e ka inatosur së tepërmi yllin e ri të Barcelonës.
Lini një Përgjigje