
Dy vite radhazi trajneri më i mirë në Kosovë, dy herë kampion me Ballkanin dhe po dy herë rresht pjesë e fazës së grupeve në Ligën e Konferencës. Sa shumë dysha për Ilir Dajën në këto dy sezone te Ballkani!
Mirëpo, e treta e vërteta dhe ëndrra që ai ka në karrierën si trajner është që të kalojë edhe grupet, por mbi të gjitha në një të ardhme të afërt, të drejtojë një klub në një nga ligat e forta të Europës. 57-vjeçari nga Tirana është gati për një hap të madh dhe në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, rrëfen gjithçka për karrierën e tij dhe atë që ëndërron të bëjë si trajner në vazhdimësi.
Daja ka diçka edhe për Orges Shehin, Partizanin, Tiranën, por jo vetëm. Trajneri kampion me Ballkanin në Kosovë, Elbasanin, Dinamon dhe Skënderbeun në Superiore, tregon edhe pse e admiron Pep Guardiolën.
Me Ballkanin keni fituar praktikisht gjithçka, çfarë mund të bëni më tepër në këtë klub. Cila është ëndrra juaj?
“Në këto dy vite, përveç rezultateve që kemi marrë, kemi pasur edhe një dinamikë të tillë, që i kemi arritur duke transferuar disa lojtarë drejt kampionateve më të forta. Ky është një tjetër element pozitiv i Ballkanit, sepse janë shitur tre lojtarë të formacionit si Rrahmani, Krasniqi dhe Korenica, që luajnë tashmë në Rumani dhe Turqi. Kemi pasur edhe dëmtimin e Emërllaut, i cili në pozicionin e vet është nga më të mirët në Kosovë. Mirëpo, kemi futur të rinj dhe kemi pasur shpërthime si të Zybës, i cili është bërë një prej lojtarëve tanë kryesorë në formacion. Gjithë kjo dinamikë nuk është e lehtë, pasi në vitin e parë e ndiejmë më shumë ndryshimin. Kemi zëvendësuar lojtarë shumë të rëndësishëm në momentet më delikate të sezonit, duke marrë gjithashtu emra cilësorë si Kryeziu, Hamidi etj. Për t’iu përgjigjur më konkretisht pyetjes suaj për atë që dua unë të arrij, ëndrra me Ballkanin është që të kalojmë edhe grupin. Këtë edicion u munduam ta bënim, e provuam dhe i patëm shanset, por nuk ia dolëm. Ndoshta mund të jetë e treta e vërteta në vitin 2024. Jemi më të pjekur, me më shumë eksperiencë dhe kemi nxjerrë konkluzionet se çfarë duhet të bëjmë. Përsëritja e suksesit ndonjëherë është shumë më e vështirë se arritja e suksesit. Do të tentojmë që këtë ëndërr të mos e lëmë në sirtar”, tha Daja për gazetën Panorama.
Keni pasur oferta zyrtare në muajt e fundit, na zbuloni diçka?
“Po, oferta kam pasur nga disa ekipe të huaja, por duke qenë se jam nën kontratë me Ballkanin deri në qershor 2024, i kam adresuar direkt në klub. U kam thënë të flasin me klubin, të paktën për ato oferta që më kanë pëlqyer. Ka pasur klube në Europë, edhe afër Shqipërisë, edhe larg, në kampionate goxha të forta. Më kanë kontaktuar, por përderisa nuk janë realizuar nuk ia vlen të them emra. Ky është realiteti. Për momentin nuk e mendoj lëvizjen, pasi jemi të fokusuar ta mbyllim sezonin sa më mirë. Në gjysmën e parë të këtij kampionati kemi bërë një rrugëtim më të mirë se e njëjta periudhë në sezonin e kaluar. Profesioni ynë nuk ka garanci shumë të madha në vazhdimësi, kështu që t’ia lëmë të ardhmes”, tha ai.
Lini një Përgjigje