
Superkupa mes Gallatasarajit dhe Fenerbahçes nuk do të luhet në Riad, pasi mosmarrëveshja Arabi Saudite-Turqi nuk arriti të kishte zgjidhje.
Turqit kishin planifikuar të kombinonin garën, me ngjarjet për të festuar 100-vjetorin e themelimit të shtetit të tyre modern. Pankartat me mesazhe për paqen, mesazhe për turqit e shquar ndër vite, bluza me Kemal Ataturkun dhe himni kombëtar ishin disa nga gjërat që turqit do të bënin në "King Sound".
Sauditët ndaluan shumicën e tyre, veçanërisht fytyrën e Kemal Ataturkut që të shfaqet në stadiumin e Riadit. Kështu që nga mesdita filluan negociatat në Federatën Turke të Futbollit, me faktorë të klubeve turke.
Ndonëse fillimisht Federata Turke doli me një deklaratë, duke informuar se ndeshja do të zhvillohet normalisht dhe me ngjarjet e planifikuara, shpejt u kuptua se gjërat nuk ishin ashtu.
Një orë para fillimit (ishte planifikuar për në orën 18:45) delegacionet e skuadrave nuk ishin larguar nga hoteli ku po qendronin, duke deklaruar se nëse nuk do të lejoheshin të mbanin bluzat me heroin e tyre kombëtar, ata nuk do të shkonin në stadium.
Sauditët vendosën oficerë policie në dhomat e zhveshjes për të parandaluar lojtarët e të dy skuadrave që të mos vishnin bluzat e Kemal Ataturkut, nëse shkonin në fushë. Tifozët turq kanë pohuar se janë dëbuar nga stadiumi nga policia, pasi kishin veshur fanela me mesazhe "të ndaluara".
Më në fund, pak minuta para fillimit të ndeshjes, mediat turke raportuan se lojtarët e të dyja skuadrave u njoftuan se ndeshja ishte shtyrë. Stafi i Gallatasarajit që kishte shkuar në stadium dhe po prisnin lojtarët, i paketuan gjërat dhe u larguan menjëherë.
Madje, disa media raportuan se pas kësaj fiaskoje, presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Mehmet Bujukeksi, ka dhënë dorëheqjen.
Në të njëjtën kohë, klubet, futbollistët, gazetarët dhe madje edhe tifozët e zakonshëm turq mbushën rrjetet sociale me imazhe të Kemal Ataturkut dhe hyjnizuan qendrimin e Gallatasarajit dhe Fenerbahçes, që refuzuan të luanin pa fanelat e tyre të veçanta.
Lini një Përgjigje