
Nëse Perandorët, Mbretërit, Presidentët, Kryeministrat e shumë drejtues të tjerë, në botë dhe Shqipëri ndërrohen, vetëm dikush nuk guxon ta lërë detyrën. Ai është as më pak e as më shumë, por “Perandori” i futbollit në Shqipëri, Armand Duka, i cili drejtorin Federatën Shqiptare të Futbollit që nga viti 2002.
Ai është zgjedhur 6 herë në atë post, teksa më datë 16 shkurt 2026 mori mandatin e 7-të. Duka garoi me veten, pasi askush nuk mori guximin për t’i dalë përpara. Sistemi që ka ngritur në krye të FSHF-së e bën atë automatikisht fitues, duke qenë se ka ngritur një strukturë të mirëfilltë përfitimi, duke e ndarë futbollin dhe votuesit në “shoqata”.
Koha e gjatë e ka bërë të paprekshëm, duke bërë nderë e duke emëruar në krye të këtyre shoqatave njerëzit e tij. Por, nëse në zgjedhjet e mëparshme ka pasur garë, në shumicën e herëve formale, kësaj herë votimi i 16 shkurtit do të jetë totalisht me vetëm një kandidat.
Po ashtu Tifozat Kuq e Zi janë në “luftë” të hapur me Federatën Shqiptare të Futbollit. TKZ kanë dalë kundër FSHF-së për bashkëorganizimin e Evropianit U-21 me Serbinë dhe Federata u “hakmor” duke u hequr biletat për zonën e tyre ultras të rezervuar në stadium.
Situata e nderë mes palëve u vu re edhe më 24 mars 2025, kur TKZ “shpërtheu” në kor kundër Armand Dukës, duke lënë edhe stadiumin për minuta të tëra sfidën e fituar me Andorrën. Kanë qenë pikërisht “parullat” e TKZ ato që shqetësuan FIFA-n duke bllokuar një pjesë të stadiumit.
Nga ana tjetër edhe Silvinjo është në prag të largimit nga kombëtarja shqiptare. Tekniku brazilian ka sinjalizuar se do të presë përfundimin e kontratës së tij në korrik për të vendosur mbi të ardhmen. Deklarata e tij vjen në një moment kur rezultatet e fundit dhe kritikat publike kanë shtuar pasiguritë rreth vijimit të bashkëpunimit me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Pavarësisht arritjes historike të kualifikimit në “play-off” të Botërorit, performancat e fundit kanë sjellë zhgënjim dhe debat. Në këtë kontekst, mundësia e largimit të Silvinjos shihet si një skenar gjithnjë e më i mundshëm.
Në rast të një largimi të mundshëm, një nga alternativat e përkohshme mund të jetë trajneri i ekipit U-21, Alban Bushi, i cili mund të drejtojë skuadrën në ndeshjet e muajit qershor.
Shembulli i Italisë: zgjidhje të përkohshme dhe paqartësi
Situata në Shqipëri pasqyron në njëfarë mënyre zhvillimet e fundit në Itali. Federata Italiane ka zgjedhur një zgjidhje të përkohshme, duke emëruar Silvio Baldinin në krye të Kombëtares për ndeshjet miqësore, ndërsa vijon kërkimi për trajnerin e ri.
Baldini, aktualisht trajner i Italisë U-21, do të drejtojë përkohësisht ekipin e parë deri në emërimin e pasuesit të përhershëm.
Dorëheqja e presidentit të FIGC dhe zgjedhjet e reja
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm në futbollin italian është dorëheqja e presidentit të Federatës, Gabriele Gravina. Vendimi u konfirmua gjatë një takimi zyrtar në Romë.
Ai ka thirrur një Asamble të Jashtëzakonshme Zgjedhore më 22 qershor, ku pritet të zgjidhet drejtuesi i ri i federatës. Ky hap synon të sigurojë stabilitet institucional përpara nisjes së sezonit të ri.
Gravina deklaroi se do të raportojë gjithashtu në një seancë parlamentare mbi gjendjen e futbollit italian, duke evidentuar si arritjet, ashtu edhe problemet strukturore.
Largimi i Gatuzos pas eliminimit nga Botërori
Në të njëjtën kohë, Italia ka mbetur pa trajner pas largimit të Xhenaro Gatuzos. Federata konfirmoi ndërprerjen e bashkëpunimit pas eliminimit në fazën “play-off” të Botërorit, pas humbjes ndaj Bosnjë-Hercegovinës.
Vetë Gatuzo deklaroi se vendimi u mor për të lehtësuar procesin e riorganizimit të ekipit kombëtar, duke pranuar dështimin për arritjen e objektivave.
Gara për pankinën e Italisë
Pas largimit të Gatuzos, disa emra të njohur janë përfolur si kandidatë për drejtimin e Kombëtares italiane, përfshirë Roberto Mançinin, Masimiliano Alegrin, Simone Inzagin dhe Antonio Konten.
Vendimi përfundimtar pritet të merret pas zhvillimit të zgjedhjeve në federatë, ndërsa deri atëherë drejtimi i ekipit mund të mbetet në duart e një trajneri të përkohshëm.
Lini një Përgjigje