Katër herë kampioni i botës në Formula 1, Alen Prost, ka përjetuar momente tmerri gjatë kësaj jave pasi është vërë viktimë e një grabitje në vilën e tij në Nion, pranë liqenit të Gjenevës në Zvicër.
Këtë të martë, një grup hajdutësh të armatosur kanë hyrë në shtëpinë e tij rreth orës 08:30 të mëngjesit dhe kanë sulmuar menjëherë ish-pilotin e famshëm të Formula 1 duke e goditur dhe duke i shkaktuar një traumë në kokë.
Më pas, duke kërcënuar të birin, kanë bindur këtë të fundit të hapë kasafortën që kishin në shtëpi, duke marrë nga aty para dhe sende me vlerë. Duhet kujtuar se Prost është një nga imazhet e markës së famshme të orëve luksoze “Richard Mille” dhe kishte disa të tilla në banesë.
Tabloidi zviceran “Blick” raportoi të premten në mbrëmje se francezi 71-vjeçar pësoi lëndime në kokë pasi autorët detyruan djalin e tij të hapte kasafortën.
“Autorët hynë në banesë ndërsa personat ndodheshin brenda, i kërcënuan ata dhe detyruan një anëtar të familjes të hapte një kasafortë përpara se të largoheshin me sendet e vjedhura”, deklaroi zyra e prokurorit publik.
“Pavarësisht operacionit të gjerë të kërkimit që u zhvillua, autorët ende nuk janë arrestuar”, shtoi prokuroria.
Policia, e cila nuk e identifikoi “viktimën”, bëri të ditur se disa persona të maskuar me kapuçë hynë me forcë në banesë.
“Sapo hynë brenda, ata kërcënuan banorët dhe i shkaktuan lëndime të lehta në kokë një anëtari të familjes, në rrethana që ende po hetohen”, thuhet në deklaratën e policisë.
“Më pas, autorët detyruan një tjetër anëtar të familjes të hapte një kasafortë përpara se të largoheshin me sendet e vjedhura, inventari i saktë i të cilave po përpilohet aktualisht.”/ "The Guardian", përshtati në shqip, Pamfleti
Lini një Përgjigje