
Softueri mbledh të dhëna përmes kamerave, sensorëve dhe GPS-it që mund të gjurmojnë me saktësi gjendjen fizike dhe mendore të lojtarëve. IA mund të jetë shumë e dobishme jo vetëm nga pikëpamja e përgatitjes atletike, por edhe nga ajo teknike dhe sportive.
Inteligjenca Artificiale po revolucionarizon edhe futbollin, duke përshpejtuar analizën e të dhënave dhe mbështetur trajnerët në parandalimin e dëmtimeve të futbollistëve. Bashkëpunimi midis kompanisë IBM dhe ekipit gjerman Bajer Leverkusen, është vetëm shembulli më i fundit.
Mbledhja dhe analiza e të dhënave, po zë një rol gjithnjë e më qendror në futbollin e nivelit të lartë. Dhe në këtë kuptim, Inteligjenca Artificiale në futboll mund të luajë një rol themelor. Një shembull i kësaj është zgjidhja e re e klubit gjerman të futbollit Bajer Leverkusen dhe IBM, një nga kompanitë kryesore të IT-së në botë.
Bashkëpunimi midis të dyjave ka prodhuar një teknologji, e cila falë njohjes automatike të imazhit nga IA, bën që të gjitha ato studime që më parë kërkonin analiza të gjata manuale të jenë shumë më të shpejta dhe më të thjeshta, duke krijuar më shumë kohë për gjëra të tjera dhe duke optimizuar punën e analistëve, vëzhguesve dhe vendimmarrësve, të cilët më pas mund t’i përkushtohen proceseve më specifike dhe profesionale.
IBM dhe futbolli profesionist
IBM ka vendosur në dispozicion teknologjitë e saj “watsonx.ia Studio”, e cila mundëson krijimin dhe përshtatjen e modeleve specifike të IA-së. Platforma “watsonx.ai Runtime”, integron në mënyrë të besueshme proceset e IA-së në proceset aktuale të punës.
Kjo lejon një analizë më të shpejtë dhe më të saktë të të gjitha të dhënave të ndeshjeve, si dhe të performancës së lojtarëve. Rezultatet e këtyre studimeve, dhe i gjithë materiali në përgjithësi, mund të arkivohen dhe të merren në shërbime të ndryshme të cloud-it të IBM-së. “Kjo platformë, promovon një të ardhme të bazuar tek të dhëna për futbollin profesionist, ndërsa njëkohësisht i bën më efikase proceset e klubeve”, thotë Hardi Groger, kryeinxhinier dhe drejtor teknik për softuerin e të dhënave të IBM.
Aftësitë analitike të IA
Mundësia për të shfrytëzuar këto zgjidhje, garanton jo vetëm përpunimin e optimizuar të të dhënave, kursimin e kohës dhe reduktimin e gabimeve, por edhe aftësinë për të shfrytëzuar njohjen inteligjente të ngjarjeve të ndryshme në ndeshje, pa pasur nevojë që të bëhet një përzgjedhje manuale.
Avantazhe të tjera të mëdha, përfshijnë fleksibilitetin dhe shkallëzueshmërinë e shërbimit, pasi ai mund të zgjerohet dhe përshtatet sipas nevojave të klubit. Kjo mbështetje, i sjell dobi si trajnerëve dhe stafit të tyre, po ashtu edhe atyre që janë përgjegjës për planifikimin e operacioneve të përditshme të një ekipi futbolli të nivelit të lartë.
Efektiviteti i kësaj teknologjie konfirmohet edhe nga menaxheri i Bajer Leverkusen. Mortiz Loks, kreu i Teknologjive Sportive në klubin gjerman, e konsideron veten dhe klubin e tij “pionierë në përdorimin e zgjidhjeve dixhitale për të zgjeruar mundësitë e futbollit profesionist”.
Ai shton se falë IBM-së, aftësitë analitike të ekipit janë rritur ndjeshëm, ndaj bashkëpunime të tilla janë momente kyçe në rrugën drejt një dixhitalizimi të futbollit të orientuar drejt së ardhmes dhe të bazuar në të dhënat mbi proceset kyçe.
Në klube të tjera, Inteligjenca Artificiale ndihmon në parandalimin e dëmtimeve të futbollistëve
Përveç Bajer Leverkusen, shumë klube të nivelit të lartë kanë filluar të integrojnë përdorimin e teknologjive të inteligjencës artificiale për të përmirësuar performancën e lojtarëve të tyre. Real Madrid, Mançester Siti, Bajern Mynih, Palmeiras dhe Flamengo kanë investuar shumë në zhvillimin e një sistemi të aftë për të parandaluar dëmtimet.
Duke përdorur softuerë që analizojnë gjendjen fizike të lojtarëve dhe duke i paralajmëruar ata për rritjen e rrezikut të dëmtimit, këto klube monitorojnë çdo ditë shëndetin e lojtarëve të tyre, duke u lejuar atyre që të ndërpresin stërvitjen më herët dhe ta përshtatin ngarkesën e stërvitjes ose përdorimin në fushë sipas gjendjes së tyre specifike, duke parandaluar kështu dëmtimet.
Softueri mbledh të dhëna përmes kamerave, sensorëve dhe GPS-it që mund të gjurmojnë me saktësi gjendjen fizike dhe mendore të lojtarëve. IA mund të jetë shumë e dobishme jo vetëm nga pikëpamja e përgatitjes atletike, por edhe nga ajo teknike dhe sportive.
Për shembull, Liverpul ka disa sezone që përdor një teknologji të quajtur Tactic AI, e cila është në gjendje të parashikojë rezultatet e situatave të caktuara të lojës, siç janë goditjet nga këndi. Kjo i jep mundësi menaxherëve të veprojnë paraprakisht dhe të identifikojnë zgjidhjet më të mira për të shënuar një gol.
Përmes një studimi krahasues të statistikave dhe aftësive të lojtarëve, Tactic AI sugjeron se cili lojtar duhet të marrë një pasim apo të tentojë një krosim për të rritur shanset e tij për të shënuar. Kjo lehtësohet nga fakti se goditjet nga këndi, ashtu si goditjet e lira dhe rivëniet anësore, janë situata të kodifikuara të lojës,
Prandaj ato përshtaten në mënyrë të përkryer për këtë lloj teknologjie. Pastaj është rasti i Arsenalit dhe trajnerit të tyre, Mikel Arteta, i cili ka pranuar publikisht se ka përdorur Inteligjencën Artificiale për të përgatitur ndeshjet.
Formacionin do ta bëjë IA?
Inteligjenca Artificiale do të merret jo vetëm me menaxhimin e situatave të veçanta të lojës, por edhe në gjetjen dhe përcaktimin e zgjidhjeve më të mira taktike, ose në vendosjen e lojtarëve që duhen vendosur në fushë, në varësi të kundërshtarit dhe ndeshjes.
Pra duke vlerësuar atë që po bëhet dhe si mund të përmirësohet, siç i pranoi për mediat trajneri aktual i Arsenalit, Mikel Arteta. Pra, përsosmëria sportive dhe ajo teknologjike mund të bashkohen dhe të bashkëpunojnë për të përmirësuar performancën e një ekipi futbolli të nivelit të lartë, jo vetëm duke e përmirësuar cilësinë e punës dhe të lojës, por edhe duke forcuar lidhjen midis lojtarëve, trajnerëve, klubeve dhe komponentëve të brendshëm të IT-së./Pamfleti
Lini një Përgjigje