
Në një intervistë për “The Guardian”, ish-kapiteni dhe ish-portieri i Italisë, Xhanluixhi Buffon, ka komentuar dështimin e përfaqësueses “axurre” për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, duke e cilësuar këtë një moment të dhimbshëm për futbollin e vendit.
“Është një faqe e dhimbshme për futbollin italian dhe për mua. Nëse do të më pyesnin 12 vjet më parë, do të përgjigjesha se do të ishte më e lehtë të shihja 1000 alienë përreth meje sesa Italinë jashtë Kupës së Botës tri herë radhazi. Por ky është realiteti”, është shprehur Bufon.
Sipas tij, rënia e futbollit italian lidhet me disa faktorë kryesorë. Ai përmend fillimisht ndikimin e globalizimit në futboll, që sipas tij ka rritur konkurrencën në nivel ndërkombëtar.
“Cilat janë arsyet e rënies së futbollit italian? Do të thosha se tre janë kryesoret: e para është globalizimi, që i ka lejuar të gjitha skuadrat të jenë kompetitive, ndërsa niveli i mesëm është rritur ndjeshëm”, ka theksuar ai.
Bufon nënvizon gjithashtu nevojën për ndryshim dhe reflektim të thellë brenda strukturave të futbollit italian.
“Duhet të ndryshojmë. Nëse e analizojmë situatën me qartësi, kemi potencialin për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Por nëse e mohojmë problemin, ai do të mbetet gjithmonë”, ka shtuar ish-portieri.
Një tjetër element që ai evidenton është humbja e epërsisë taktike që Italia gëzonte në të kaluarën, si dhe mungesa e lojtarëve me kreativitet të lartë.
“Deri 15 vjet më parë, kur fitonim, ishim taktikisht superiorë ndaj kundërshtarëve tanë. Sot kemi lojtarë fantastikë, por ajo që mungon është talenti i vërtetë kreativ, si ai i Baxhos, Del Pieros apo Totit, të cilët në atë kohë na ndihmonin të fitonim”, ka përfunduar Bufon.
Lini një Përgjigje