
Elvis Rexhbeçaj është zyrtarizuar sot si lojtar i Volfsburgut, duke shënuar rikthimin në klubin ku nisi karrierën në Bundesligë. Edhe pse aktualisht është pjesë e Augsburgut me kontratë të vlefshme deri në fund të sezonit, 28-vjeçari ka vendosur të firmosë me klubin e ri një marrëveshje afatgjatë deri më 30 qershor 2030.
Sipas njoftimit, mesfushori shqiptar do t’i bashkohet Volfsburgut pa kosto transferimi në përfundim të këtij sezoni. Vendimi i tij vjen në një moment të vështirë për klubin, i cili aktualisht mban vendin e parafundit në renditjen e Bundesligës.
Zgjedhje personale në një moment delikat
Pavarësisht situatës sportive të Volfsburgut, Rexhbeçaj ka zgjedhur të rikthehet për arsye emocionale dhe profesionale, duke e cilësuar këtë hap si një vendim të rëndësishëm në karrierën e tij.
View this post on Instagram
Në deklaratën e tij zyrtare, ai theksoi lidhjen e fortë me klubin:
“Kthimi te Volfsburgu do të jetë shumë i veçantë për mua. U rrita këtu dhe e nisa karrierën time këtu në Bundesligë. Do të jem gjithmonë mirënjohës për këtë”.
Ai shtoi se vendimi për t’u rikthyer ishte i menjëhershëm sapo iu paraqit mundësia:
“Që kur më erdhi përsëri mundësia, e kuptova shpejt se doja ta bëja”.
Fokusi tek Augsburgu deri në fund të sezonit
Megjithatë, mesfushori ka bërë të qartë se për momentin mbetet i përqendruar te skuadra aktuale, Augsburgu, me të cilën synon të përmbyllë sezonin në mënyrën më të mirë.
“Por një gjë është gjithashtu e qartë: Do të jap gjithçka për Augsburgun deri në ndeshjen e fundit”.
Lini një Përgjigje