Ylber Ramadani ka qenë një nga futbollistët shqiptarë më të spikatur gjatë këtij sezoni. Mesfushori i Kombëtares shqiptare u shndërrua në një nga liderët e Leçes, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në arritjen e objektivit kryesor të skuadrës, mbijetesën në Serinë A.
Performancat e tij bindëse bënë që drejtuesit e klubit italian të aktivizonin klauzolën për zgjatjen e kontratës edhe për një sezon tjetër, duke konfirmuar besimin ndaj futbollistit kuqezi.
Megjithatë, e ardhmja e Ramadanit te Leçe nuk duket e sigurt. Sipas raportimeve të “Tuttosport”, Torino ka shfaqur interes konkret për mesfushorin shqiptar dhe po vlerëson mundësinë e transferimit të tij gjatë merkatos së verës.
Në garë për shërbimet e Ramadanit mund të hyjnë edhe klube nga Bundesliga gjermane. Mediat italiane raportojnë se futbollisti ka marrë oferta nga Gjermania, të cilat mund të rezultojnë joshëse në rast se ai vendos të provojë një aventurë të re jashtë futbollit italian.
Pritet që javët në vijim të jenë vendimtare për të ardhmen e 29-vjeçarit, i cili pas një sezoni të suksesshëm ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve europiane.
Lini një Përgjigje