TAGS-AT E JAVËS

Sport 9 Qershor 2026, 16:50

Botërori më i madh në histori: 48 skuadra, 104 ndeshje dhe mundësi kualifikimi për 3 ekipe nga grupi

Shkruar nga Pamfleti
Botërori më i madh në histori: 48 skuadra, 104 ndeshje dhe
Kupa e Botës

Botërori 2026, që do të organizohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika, do të hyjë në histori si edicioni më i madh i Kupës së Botës. Për herë të parë, në fazën finale do të marrin pjesë 48 përfaqësuese kombëtare, krahasuar me 32 skuadra që kanë garuar në edicionet e mëparshme.

Vendimi i FIFA-s për zgjerimin e turneut synon t’u japë më shumë vendeve mundësinë për të qenë pjesë e kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit botëror. Kontinentet që pritet të përfitojnë më shumë nga kjo skemë janë Afrika, Azia dhe Amerika e Veriut, megjithëse mbetet për t’u parë nëse rritja e numrit të pjesëmarrësve do të ndikojë në nivelin cilësor të garës.

Ndryshime të rëndësishme do të ketë edhe në formatin e zhvillimit të turneut. Në vend të tetë grupeve me nga katër skuadra, siç ka qenë deri më tani, Botërori 2026 do të ketë 12 grupe me nga katër ekipe. Dy skuadrat e para të çdo grupi do të sigurojnë automatikisht kualifikimin, ndërsa në fazën tjetër do të avancojnë edhe tetë përfaqësueset më të mira të renditura në vendin e tretë.

Si rezultat, numri i skuadrave që kalojnë nga faza e grupeve do të jetë 32, duke sjellë edhe një raund shtesë në turne. Për herë të parë do të zhvillohet faza e 1/16-ave, përpara ndeshjeve të 1/8-ave, çerekfinaleve, gjysmëfinaleve dhe finales. Kjo do të thotë se ekipet që arrijnë deri në finale, si edhe ato që luajnë për vendin e tretë, do të zhvillojnë tetë ndeshje në total, një më shumë se në formatin e deritanishëm.

Rritja e numrit të skuadrave sjell edhe një rritje të ndjeshme të numrit të takimeve. Nga 64 ndeshje që zhvilloheshin në edicionet e mëparshme, Botërori 2026 do të përfshijë plot 104 sfida. Për këtë arsye, kohëzgjatja e turneut do të zgjatet nga një muaj në 40 ditë, duke nisur më 11 qershor dhe përfunduar më 19 korrik.

Faza e grupeve do të zhvillohet nga 11 deri më 28 qershor. Menjëherë pas saj do të nisë faza me eliminim direkt, pa ditë pushimi. Ndeshja e parë e raundit të 1/16-ave do të luhet më 28 qershor, ndërsa programi do të vijojë pandërprerë deri më 7 korrik, datë kur do të zhvillohen ndeshjet e fundit të 1/8-ave.

Më 8 korrik është parashikuar një ditë pushimi, ndërsa çerekfinalet do të luhen nga 9 deri më 12 korrik. Pas një tjetër dite pushimi më 13 korrik, do të zhvillohen dy gjysmëfinalet, më 14 dhe 15 korrik.

Ndeshja për vendin e tretë do të luhet më 17 korrik, ndërsa finalja e madhe e Kupës së Botës 2026 është planifikuar për më 19 korrik në stadiumin “MetLife”, ku do të kurorëzohet kampioni i ri i botës.

botërori 2026 fifa ekipet e kualifikuara

Lini një Përgjigje