Atmosfera në “Winston-Salem” ishte elektrizuese, teksa kombëtarja gjermane vazhdon përgatitjet për Kupën e Botës 2026. Qindra tifozë u mblodhën në tribunat e stadiumit “W. Dennie Spry Stadium” për të ndjekur nga afër seancën e hapur stërvitore të “Die Mannschaft”.
Brohoritjet dhe duartrokitjet shoqëruan çdo moment të stërvitjes, duke e kthyer aktivitetin në një ngjarje të veçantë sportive. Entuziazmi i tifozëve krijoi një atmosferë që i ngjante më shumë një ndeshjeje zyrtare sesa një seance përgatitore.
“Winston-Salem” është zgjedhur si baza e kombëtares gjermane gjatë Botërorit dhe qyteti duket se e ka mirëpritur me përzemërsi praninë e një prej ekipeve më të suksesshme në historinë e futbollit botëror. Vëmendja e publikut ishte e përqendruar te yjet e skuadrës, veçanërisht Florian Uirc dhe Jamal Musiala, të cilët u pritën me ovacione dhe interes të madh nga tifozët.
Gjermania do të nisë aventurën e saj në fazën e grupeve më 14 qershor, kur do të përballet me Kurasaon në Houston. Më pas, skuadra gjermane do të luajë ndaj Bregut të Fildishtë më 20 qershor në Toronto dhe kundër Ekuadorit më 25 qershor në New Jersey.
Me objektivin për të rikthyer lavdinë në arenën ndërkombëtare dhe për të siguruar titullin e pestë kampion bote, gjermanët po intensifikojnë ritmin e përgatitjeve. Mbështetja e vazhdueshme e tifozëve në Winston-Salem konsiderohet një motivim shtesë për ekipin përpara sfidave të rëndësishme që e presin në turne.
Në përfundim të stërvitjes, futbollistët iu afruan tifozëve, realizuan fotografi dhe shpërndanë autografe, duke forcuar edhe më tej lidhjen mes kombëtares dhe mbështetësve të saj në prag të Kupës së Botës 2026.
Lini një Përgjigje