FIFA konfirmon se arbitri somalez Omar Abdulkadir Artan nuk do të marrë pjesë në Botërorin e këtij viti pasi autoritetet amerikane i refuzuan hyrjen në vend…
Arbitri somalez Omar Abdulkadir Artan, i shpallur arbitri më i mirë i Afrikës për vitin 2025, nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës të këtij viti, pasi autoritetet e Shteteve të Bashkuara i ndaluan hyrjen në vend. Lajmi u konfirmua nga FIFA.
Sipas një zëdhënësi të Shërbimit Amerikan të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit (CBP), i cili foli për CNN, Artan iu nënshtrua një kontrolli shtesë pas mbërritjes në Miami me një fluturim nga Stambolli.
“Gjatë procesit të kontrollit, udhëtari iu nënshtrua një inspektimi shtesë, procedurë e zakonshme kur autoritetet duhet të verifikojnë informacione ose të përcaktojnë të drejtën e hyrjes. Pas përfundimit të kontrollit, arbitri i Kupës së Botës FIFA u konsiderua i papërshtatshëm për hyrje për shkak të shqetësimeve të ngritura gjatë verifikimit dhe iu refuzua hyrja në vend”, deklaroi përfaqësuesi i CBP-së.
Somalia është një nga 39 shtetet që preken nga kufizimet e udhëtimit të vendosura nga administrata e presidentit Donald Trump. Autoritetet amerikane nuk dhanë detaje të mëtejshme për arsyet e refuzimit, por shtetasit e vendeve të përfshira në këto masa i nënshtrohen kontrolleve më të rrepta.
Artan ishte përzgjedhur nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) për të marrë pjesë në turneun botëror, pas vlerësimit si arbitri më i mirë afrikan në kategorinë e meshkujve. Në një deklaratë, FIFA theksoi se nuk ka rol në procedurat e emigracionit të vendit organizator.
“FIFA nuk përfshihet në proceset e emigracionit, përfshirë lëshimin e vizave, dhe është informuar nga autoritetet kompetente se statusi i zotit Artan nuk pritet të ndryshojë për momentin. Ashtu si në turnetë e mëparshëm të FIFA-s, vendimi përfundimtar për lëshimin e vizave dhe lejimin e hyrjes në vend i takon qeverisë së shtetit pritës”, deklaroi organizata.
Rasti i Artanit vjen pas vështirësive të ngjashme të raportuara nga vende të tjera, veçanërisht Irani, për shkak të politikave të rrepta të emigracionit.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, deklaroi të dielën se kombëtarja iraniane mori lejen për hyrje në SHBA vetëm një ditë para ndeshjes së saj në turne, sipas mediave iraniane. Kjo ka nxitur kritika për trajtim të pabarabartë.
Ndërkohë, trajneri i kombëtares iraniane, Amir Ghalenoei, tha se disa zyrtarë të federatës, përfaqësues të mediave dhe një drejtues ekzekutiv ende nuk kanë marrë autorizimin për të marrë pjesë në kompeticion.
Lini një Përgjigje