
Llapi i ka dhënë lamtumirën Ligës së Europës dhe do të vazhdojë rrugëtimin e tij në Ligën e Konferencës, pasi është eliminuar nga turneu i dytë për nga rëndësia në kontinent. Nënkampionët e Kosovës, janë mundur edhe sot përballë Visla të Polonisë dhe nuk ia kanë dalë të vazhdojnë në turin tjetër.
Fitorja 2-0 në ndeshjen e parë të skuadrës polake e bënte mision shumë të vështirë përmbysjen për ekipin kosovar edhe pse rivalët e tyre janë një ekip i Kategorisë së Dytë në Poloni, por marrin pjesë në Europë, pasi kanë fituar Kupën.
Goli i Rodados në minutën e 58 për miqtë e bëri kualifikimin një mision thuajse të pamundur në ndeshjen e sotme. Por Llapi ia doli që të gjente barazimin, teksa tundi rrjetën në minutën e 74 me anë të Ardit Tahirit, sulmuesit i cili në edicionin e kaluar ishte pjesë e Dinamos.
Pas kësaj sfide, ekipi i Tahir Batatinës i jep “lamtumirën” Ligës së Europës, ndërsa do të vazhdojë rrugëtimin e saj në Ligën e Konferencës, në turin e dytë.
Lini një Përgjigje