
Janë mbyllur ndeshjet e mbrëmjes në Ligën e Europës, të vlefshme për javën e tretë. Në “Olimpico”, Roma u mposht me rezultatin 1-2 nga çekët e Plzen, të cilët shënuan dy gola për 3 minuta me Adu në minutën e 20 dhe Soare 3 minuta më vonë.
Në minutën e 54, Dibala ngushtoi diferencën për verdhekuqtë, por goli i argjentinasit vlejti vetëm për statistikë.
Një tjetër rezultat surprizë erdhi edhe nga Franca, aty ku Lilë u mund nga PAOK-u i Selanikut me rezultatin 3-4. Pjesa e parë u mbyll me shifrat e pastra 0-3 për grekët me golat e realizuar nga Meite në minutën e 18, Zivkoviç 5 minuta më vonë dhe Kostantelias në minutën e 42. Në pjesën e dytë, francezët ngushtuan diferencën me Andre në minutën e 57 dhe Igamame në minutën e 68. Zivkoviç gjeti golin e katërt për grekët në minutën e 74 dhe dopietën e tij personale, ndërsa Igamame ngushtoi shifrat në 3-4, por goli i tij pati vlerën e statistikës.
Në sfidat e tjera, Dinamo e Zagrebit e Arbër Hoxhës nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në transfertë nga Malmo. Fejnordi u mposht 2-1 nga Panathinaikos në shtëpi. Notingam Forest mposhti pastër 2-0 Porton, ndërsa Sëlltiku përmbysi Sturmin me shifrat 2-1.
Lini një Përgjigje