
Shkëndija ka marrë 3 pikët e para në Ligën e Konferencës pas fitores në frymën e fundit 1-0 ndaj irlandezëve të Shelburnit. Një autogol i Patrik Barret në minutën e 92 vendosi fatin e takimit të luajtur në Shkup. Gjithçka nisi pas një goditjeje këndi dhe gjuajtja e Ronaldo Uebster u devijua në portën e tij nga mbrojtësi irlandez. Shkëndija merr kështu fitoren e parë historike në Ligën e Konferencës.
Në “Fadil Vokrri”, Drita mori barazimin e dytë radhazi, sërish 1-1, por këtë herë në fushën e saj ndaj Omonia Nikozias. Intelektualët” e drejtuar nga Zekirija Ramadani, kaluan në avantazh falë golit të Arb Manajt në minutën e 12. Sulmuesi dardan shënoi me kokë, pas krosimit perfekt të Besnik Krasniqit.
Në minutën e 30, qipriotët gjetën golin me të mirënjohurin Stefan Jovetiç, por për fatin e mirë të Dardanëve, goli u anulua për pozicion jashtë loje. Barazimi i miqve erdhi në fund të pjesës së parë nga Masuras, i cili shënoi me kokë. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
Lini një Përgjigje