TAGS-AT E JAVËS

Sport23 Tetor 2025, 19:00

“Cosa Nostra” në epokën e kriptos, familjet Bonanno e Gambino rikthejnë kodin mafioz në NBA!

Shkruar nga Pamfleti

“Cosa Nostra” në epokën e kriptos, familjet Bonanno e

Mafia që trukon ndeshje përmes algoritmeve: Operacioni që zbuloi dorën e Cosa Nostra-s në NBA...

Një nga hetimet më të mëdha federale të dekadës së fundit ka shpërthyer në SHBA, duke tronditur themelet e NBA-së dhe duke ekspozuar lidhje të drejtpërdrejta mes figurave sportive dhe familjeve mafioze të Nju Jorkut.

Sipas Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së, më shumë se 30 persona janë arrestuar në një operacion të gjerë që përfshin baste të manipuluara, poker të trukuar dhe larje parash, një rrjet që, sipas autoriteteve, është mbështetur nga La Cosa Nostra, organizata e famshme kriminale italo-amerikane që përfshin familjet Bonanno, Genovese, Gambino dhe Lucchese.

Hetimi, i cili ka zgjatur disa vite, ka zbuluar një sistem të sofistikuar mashtrimi që shtrihet nga sallat e NBA-së deri në kazinotë e nëndheshme të Las Vegasit dhe Atlantic City-t, ku lojtarë, trajnerë dhe ndërmjetës mafiozë kanë përfituar miliona dollarë në mënyrë të paligjshme.

Yjet e NBA-së në qendër të skandalit

Në mesin e të arrestuarve ndodhen Terry Rozier (Miami Heat) dhe Chauncey Billups, trajner i Portland Trail Blazers dhe ish-yll i NBA-së, ndërsa emri i Damon Jones, ish-lojtar dhe trajner, figuron në hetim si pjesë e rrjetit të pokerit të manipuluar.

Sipas prokurorëve federalë, Rozier dyshohet se ka dhënë informacion të brendshëm mbi gjendjen e tij fizike dhe performancën në disa ndeshje mes shkurtit 2023 dhe marsit 2024, duke lejuar bastvënësit të vendosnin fitime të sigurta përmes platformave online dhe basteve me kriptovaluta.

Një prej ndeshjeve kyçe të përmendura nga hetuesit është ajo e marsit 2023, kur Rozier luajti vetëm 9 minuta për shkak të një “lëndimi në këmbë”, ndërsa paraprakisht disa baste të mëdha ishin vendosur mbi këtë detaj, informacion që ende nuk ishte bërë publik.

“Cosa Nostra” në epokën e kriptos, familjet Bonanno e
Një tavolinë pokeri me rreze X

Ndërkohë, Chauncey Billups dhe një grup tjetër prej 31 personash dyshohen për përfshirje në poker të trukuar, ku viktimat ftoheshin të luanin me “ish-sportistë të famshëm”, por loja ishte plotësisht e manipuluar. Lojtarët e tjerë në tavolinë, përfshirë dilerët, ishin pjesë e skemës, dhe kartat kontrolloheshin përmes lente speciale, tavolinave me rreze X dhe makinave për përzierje të programuar të letrave.

Rikthimi i Cosa Nostra në një terren të ri: sporti

Ky hetim i fundit ka rikthyer në vëmendje pesë familjet historike të mafies amerikane: Bonanno, Colombo, Gambino, Genovese dhe Lucchese, të cilat prej viteve ’30 kanë sunduar krimin e organizuar në Nju Jork dhe qytetet përreth.

Sipas autoriteteve, pjesëtarë të familjeve Bonanno dhe Genovese ishin garantuesit financiarë të operacioneve, duke ofruar mbrojtje, kredi dhe logjistikë për “lojërat e sigurta”.

“Cosa Nostra” në epokën e kriptos, familjet Bonanno e
Një makinë për përzierjen e letrave

“Kjo nuk është më mafia e viteve ’70. Është një Cosa Nostra digjitale, që përdor kriptovaluta, inteligjencë artificiale dhe rrjete sociale për të fshehur fitimet dhe për të manipuluar tregun e basteve,” tha një agjent i FBI-së gjatë konferencës për shtyp në Manhattan.

Në njërën prej skemave të dokumentuara, një grup i lidhur me familjen Gambino përdori platforma bastesh jashtë SHBA-së, të regjistruara në Ishujt Kajman, për të larë mbi 12 milionë dollarë nga fitimet e paligjshme të pokerit dhe basteve sportive.

Dhuna dhe frika në prapaskenë

Hetuesit zbuluan gjithashtu episode të dhunës fizike dhe shantazhit kundër personave që refuzonin të paguanin borxhet e lojërave. Një nga incidentet më të rënda ndodhi në New Jersey, ku një pajisje për përzierjen e kartave u mor nën kërcënimin e armës, ndërsa një tjetër viktimë u rrëmbye për t’u detyruar të transferonte para nga një llogari kripto.

Zyrtarët thanë se viktimat kanë humbur rreth 7 milionë dollarë, ndërsa një person i vetëm ka humbur mbi 1 milion dollarë në një seri lojërash pokeri të manipuluara.

Reagimi i NBA-së dhe goditja ndaj reputacionit të ligës

NBA ka lëshuar një deklaratë zyrtare duke theksuar se “bashkëpunon plotësisht me autoritetet federale dhe do të ndërmarrë masa disiplinore të menjëhershme ndaj çdo lojtari apo trajneri që rezulton i përfshirë”.

Një zëdhënës i ligës deklaroi se nuk ka prova që ndeshjet e kolegjit apo kampionatet e tjera janë ndikuar, por pranimi se një lojtar aktiv mund të ketë ndikuar bastet përmes informacionit të brendshëm ka tronditur besueshmërinë e NBA-së.

Cosa Nostra në epokën e kriptos

Për ekspertët e krimit të organizuar, ky rast konfirmon se mafia amerikane nuk është zhdukur, por është modernizuar.

Profesorja britanike Anna Sergi, një nga studiueset kryesore të mafies moderne, e përshkroi New York-un si “gym-in e mafies italiane”, ku anëtarët e rinj trajnohen për operacione të sofistikuara financiare dhe teknologjike.

“La Cosa Nostra ka evoluar, nuk janë më nën hije, por në algoritme. Ata nuk merren më me rrugë, por me të dhëna dhe baste. Dhe sporti është terreni i përsosur për ta”, tha ajo për BBC.

Operacioni i FBI-së kundër rrjetit të basteve sportive të lidhur me mafien është vetëm maja e ajsbergut të një fenomeni të ri: krimi i organizuar i epokës digjitale.

Nëse akuzat provohen, ky mund të jetë rasti më i madh i korrupsionit sportiv në historinë e SHBA-së, dhe një goditje e fortë ndaj NBA-së, e cila për dekada është konsideruar model i pastërtisë sportive.

La Cosa Nostra, ndonëse e goditur rëndë në vitet ’90 nga ligji RICO dhe fushatat e Giulianit, duket se ka gjetur mënyrën për t’u ringjallur, jo më në rrugët e Bronx-it, por në bastet e basketbollit modern. /Pamfleti

Lini një Përgjigje