TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Maj 2026, 21:14

Lëvizja “gjeniale” e Luis Enrikes në Champions, si tekniku spanjoll ‘izoloi” Majkëll Olize dhe eliminoi Bajerin

Shkruar nga Pamfleti
Lëvizja “gjeniale” e Luis Enrikes në Champions, si tekniku
luis enrike-majkëll olize

Në pamje të parë dukej sikur portieri Matvei Safonov po kalonte një mbrëmje të dobët në “Allianz Arena”, për shkak të pasimeve të shumta të pasakta nga zona e portës. Megjithatë, sipas analizave të mediave sportive italiane, gjithçka ishte pjesë e një plani të menduar nga trajneri i PSG-së, Luis Enrike.

Statistikat e ndeshjes së kthimit gjysmëfinale të Champions League ndaj Bajernit të Mynihut tregojnë se portieri rus realizoi vetëm 7 nga 33 rinisje loje nga porta. Shumë prej tyre përfunduan në rivënie anësore për bavarezët, kryesisht në krahun e djathtë të fushës.

Por këto nuk rezultuan gabime të rastësishme. Strategjia e Luis Enrikes synonte të krijonte mbingarkesë numerike në zonën ku vepronte Majkëll Olize, një nga lojtarët më të rrezikshëm të Bajernit. Në këtë mënyrë, francezi merrte topin nga rivënia anësore me shpinë nga porta dhe përballej menjëherë me dy ose tre kundërshtarë. Ashraf Hakimi, Markuinjos, Vitinja dhe Fabian Ruiz shpesh afroheshin njëkohësisht për t’i kufizuar hapësirat dhe për t’i pamundësuar përshpejtimet apo depërtimet individuale.

Efektiviteti i kësaj taktike u reflektua edhe në statistikat e Olize, i cili realizoi shumë pak driblime të suksesshme gjatë ndeshjes.

Njëkohësisht, PSG fitoi avantazh edhe në rikuperimin e topave të dytë dhe në organizimin e kundërsulmeve të shpejta në krahun e majtë me Khviça Kvaratskhelia. Pikërisht gjeorgjiani dha asistin për golin e Osman Dembele vetëm pas tre minutash lojë.

Strategjia e Luis Enrikes ka nxitur reagime të shumta edhe në rrjetet sociale. Në “Reddit”, një përdorues shkroi: “Enrike është një gjeni i vërtetë i taktikës. Është në një nivel tjetër”. Një tjetër komentoi: “Mund të mos të pëlqejë, por është një strategji brilante”.

Ndërkohë, vëmendja është zhvendosur tashmë te finalja e Champions League më 30 maj, ku PSG do të përballet me Arsenalin e Mikel Artetës, një tjetër trajner i njohur për zgjidhjet taktike inovative, veçanërisht në situatat nga goditjet e këndit.

psg champions league luis enrike

Lini një Përgjigje