
Rruga drejt Kupës së Botës 2026 ka marrë një drejtim kreativ, pasi disa nga ikonat më të mëdha të futbollit janë transformuar në figura LEGO. Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo udhëheqin një grup yjesh që përfshin edhe dyshen e Realit të Madridit, Kilian Mbape dhe Vinicius Zhunior, në një reklamë të re që pritet të tërheqë vëmendje të gjerë në rrjet.
LEGO ka zyrtarizuar bashkëpunimin me katër prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror, duke i kthyer ata në minifigura për koleksionin e ri “Editions”. Ky projekt pason suksesin e mëparshëm të trofeut të Kupës së Botës në version LEGO dhe zhvendos fokusin nga trofetë tek individët që përcaktojnë lojën. Setet synojnë të promovojnë kulturën kreative të futbollit dhe u japin tifozëve mundësinë të ndërveprojnë me idhujt e tyre përmes ndërtimeve teknike dhe objekteve dekorative.
Në reklamën promovuese, katër futbollistët garojnë për të ndërtuar një trofe LEGO të Kupës së Botës, derisa një djalë i vogël ndërhyn dhe e përfundon modelin, duke vendosur në krye figurën e tij të personalizuar. Mesi dhe Ronaldo, të konsideruar shpesh si rivalë për titullin e më të mirit të të gjitha kohërave, janë shfaqur më herët së bashku edhe në një fushatë të njohur të Louis Vuitton.

Koleksioni përfshin sete të koleksionueshme që pasqyrojnë rrugëtimin, stilin dhe elemente të fshehura për fansat. Modelet variojnë nga ndërtimet “Football Highlights” deri te setet më të mëdha “Football Legend” për Ronaldon dhe Mesin. Seti i Ronaldos përfshin një bazë në formë shkronje “R” me ngjyrat e Portugalisë dhe elemente që tregojnë karrierën e tij, së bashku me një minifigurë dhe pllakë koleksionuese. Ndërkohë, seti i Mesit rindërton momente të veçanta të karrierës së tij mbi një bazë në formë “M” me ngjyrat e Argjentinës dhe numrin 10.
Seti i Vinicius Zhunior reflekton energjinë braziliane me një bazë në formë “V” dhe ngjyrat kombëtare, ndërsa ai i Mbape kombinon shpejtësinë dhe stilin francez në një strukturë elegante me numrin 10.
Ndërsa Kupa e Botës 2026 p afron, këta katër futbollistë mbeten në qendër të vëmendjes globale. Mesi vazhdon të luajë me Inter Majemin në MLS, Ronaldo është aktiv me Al-Nassr në Arabinë Saudite, ndërsa Mbape dhe Vinicius Zhunior synojnë trofe me Realin e Madridit në La Liga dhe Champions League. Brenda pak muajsh, ata pritet të përfaqësojnë kombëtaret e tyre në garën për trofeun më të rëndësishëm në futboll.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje