
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka sinjalizuar se do të presë përfundimin e kontratës së tij në korrik për të vendosur mbi të ardhmen. Deklarata e tij vjen në një moment kur rezultatet e fundit dhe kritikat publike kanë shtuar pasiguritë rreth vijimit të bashkëpunimit me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Pavarësisht arritjes historike të kualifikimit në “play-off” të Botërorit, performancat e fundit kanë sjellë zhgënjim dhe debat. Në këtë kontekst, mundësia e largimit të Silvinjos shihet si një skenar gjithnjë e më i mundshëm.
Në rast largimi të brazilianit, FSHF dhe presidenti Armand Duka do të duhet të veprojnë shpejt për të gjetur një trajner të ri, përpara nisjes së Ligës së Kombeve në shtator, një kompeticion që mund të shërbejë si rrugë drejt “EURO 2028”.
Historikisht, FSHF ka preferuar trajnerë të huaj, zakonisht jo të profilit shumë të lartë për arsye ekonomike dhe strategjike. Përzgjedhjet shpesh janë bërë përmes ndërmjetësve apo menaxherëve, dhe jo përmes proceseve të hapura të konkurrimit.
Edhe këtë herë, pritet që vendimmarrja të ndjekë të njëjtën linjë.
Një figurë që po përmendet gjithnjë e më shpesh është menaxheri Fali Ramadani, i cili përfaqëson një numër të madh lojtarësh të Kombëtares dhe së fundmi edhe vetë Silvinjon.
Nëse nuk arrihet marrëveshje për rinovim, Ramadani mund të ketë rol kyç në propozimin e kandidatëve të rinj.
Emrat e përfolur:
Alesandro Nesta – Ish-mbrojtësi i njohur italian dhe kampion bote në vitin 2006 me “axurrët”. Si trajner, ka drejtuar disa skuadra në Itali dhe SHBA, por pa u konsoliduar në nivelet më të larta.
Luka Goti – Trajner italian me eksperiencë në Serinë A, i njohur për rolet si asistent dhe më pas si trajner i parë në disa klube.
Lini një Përgjigje