
Piloti britanik i MekLaren, Lando Norris, fitoi sot pasdite garën e Çmimit të Madh të Singaporit në Formula 1. Ky është suksesi i tretë sezonal për të, që tashmë ngushton në 52 pikë diferencën me Maks Vershtapen, në një duel “rrotë më rrotë” për titullin.
Një garë e dominuar nga Norris, që e nisi atë nga “pole position” dhe nuk e dorëzoi kreun për asnjë moment. Madje ai e mbylli diferencën me 28 sekonda avantazh ndaj Maks Vershtapen, që u rendit i dyti. Diferencë që tregon se situata mes dy skuadrave tashmë ka ndryshuar.
Podiumi i garës së zhvilluar në pistën qytetase të Marina Bay, kompletohet nga një tjetër makinë MekLaren, ajo e Oskar Piastri (i treti). Ai ndihmon edhe më shumë skuadrën e tij të grumbullojë pikë të rëndësishme në renditjen për konstruktorë.
Maks Vershtapen bëri maksimumin për të mbrojtur vendin e dytë në këtë garë dhe e realizoi misionin e tij, duke reduktuar dëmet. Një garë në sulm bëri Ferrari, që u rendit në venedin e pestë me Sharls Lëklerk, ndërkohë që u nis nga vendi i nëntë.
Monogasku i “kokëkuqes” nuk arriti dot të kapë Xhorxh Rasëll me Mercedes, që u mbrojt mirë në xhirot e fundit dhe u klasifikua në vendin e katërt. Në zonën e pikëve u renditën edhe Luis Hamilton (i gjashti), Karlos Sainz (i shtati), Fernando Alonso (i teti), Niko Hulkenberg (i nënti) dhe Serxhio Perez (i dhjeti).
Lini një Përgjigje