TAGS-AT E JAVËS

Sport30 Maj 2026, 23:30

Lamtumirë legjendë! Dinamo humbet ikonën e volejbollit, ndahet nga jeta Kreshnik Tartari

Shkruar nga Pamfleti
Lamtumirë legjendë! Dinamo humbet ikonën e volejbollit, ndahet
kreshnik tartari

Sporti shqiptar ka humbur një nga figurat e tij më të shquara. Kreshnik Tartari, një prej emrave më të rëndësishëm në historinë e volejbollit shqiptar, është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare.

I lindur më 21 korrik 1943 në Tiranë, Tartari i kushtoi jetën sportit, duke spikatur fillimisht si volejbollist me ekipin e Dinamos dhe përfaqësuesen kombëtare. Gjatë karrierës së tij si lojtar, ai fitoi tituj kampionë dhe trofe të shumtë, duke qenë pjesë e brezit që shënoi periudhën më të suksesshme të volejbollit shqiptar.

Megjithatë, emri i Kreshnik Tartarit lidhet ngushtë me sukseset e arritura si trajner. Ai konsiderohet ndër teknikët më të suksesshëm që ka njohur ndonjëherë volejbolli shqiptar, duke formuar breza sportistesh dhe duke ndërtuar skuadra që dominuan për vite me radhë në arenën kombëtare.

Një nga kapitujt më të lavdishëm të karrierës së tij ishte drejtimi i ekipit të femrave të Dinamos. Nën udhëheqjen e Tartarit, skuadra nisi në vitin 1974 një periudhë dominimi të jashtëzakonshëm, duke fituar 11 tituj kampionë radhazi dhe 20 gjithsej. Po ashtu, ekipi arriti rezultate historike edhe në garat evropiane, duke siguruar një vend mes katër skuadrave më të mira në kompeticionet kontinentale.

Mbi bazën e këtij formacioni fitues, Tartari ndërtoi edhe ekipin kombëtar të vajzave, i cili arriti një nga sukseset më të mëdha në historinë e sportit shqiptar. Në Lojërat Mesdhetare të vitit 1987, kombëtarja shqiptare triumfoi ndaj Italisë, kampione e Evropës në atë periudhë, duke fituar titullin kampion të Lojërave Mesdhetare.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e sportit, Kreshnik Tartari u vlerësua me një sërë titujsh dhe dekoratash, mes të cilave edhe titulli i lartë “Mjeshtër i Madh”.

Ndarja nga jeta e Kreshnik Tartarit përbën një humbje të madhe për sportin shqiptar. Ai do të mbetet në kujtesën e brezave si një nga arkitektët e sukseseve më të mëdha të volejbollit në vend dhe si një personalitet që i dha prestigj dhe lavdi këtij sporti.

 

kreshnik tartari ish-trajneri i volejbollit të femrave të dinamos

1 Komente

  1. B
    Besnik Bashaliu

    Sot qenka ngjitur në qiell shpirti i bukur e i mirë i një profesionisti të kalibrit të lartë,pedagogu e qytetari të devotshëm.Dhimbje e madhe...U prefsh në paqe Mjeshtër

    Lini një Përgjigje