Pavarësisht një dëmtimi të shkallës së dytë, Nejmar do të vazhdojë të jetë pjesë e listës së 26 futbollistëve të grumbulluar nga Brazili për Botërorin e kësaj vere. Konfirmimi erdhi nga trajneri i përfaqësueses braziliane, Karlo Ançeloti, gjatë një konference për shtyp.
Tekniku italian u përball me një pyetje lidhur me gjendjen fizike të sulmuesit brazilian dhe nëse do ta kishte grumbulluar atë po të ishte në dijeni më herët për dëmtimin.
“Nëse gjyshi im do të kishte rrota, do të ishte një makinë”, u përgjigj Ançeloti me humor, duke shkaktuar të qeshura mes gazetarëve të pranishëm.
Më pas, trajneri i Brazilit dha edhe një përditësim mbi gjendjen e Nejmarit, duke shprehur optimizëm për rikthimin e tij në fushë.
“Ne presim që Nejmar të jetë i pranishëm për ndeshjen me Marokun. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ai do të jetë gati për ndeshjen pasardhëse”, deklaroi Ançeloti.
Kështu, Brazili nuk parashikon të bëjë ndryshime në listën e lojtarëve, ndërsa stafi teknik mbetet i bindur se një nga yjet kryesorë të skuadrës do të rikuperohet në kohë për të dhënë kontributin e tij gjatë turneut.
Lini një Përgjigje