TAGS-AT E JAVËS

Sport29 Dhjetor 2025, 15:13

Lamtumirë Kristaq Eksarko! Partizani vajton humbjen e ikonës së tij; reagon Armand Duka

Shkruar nga Pamfleti

Lamtumirë Kristaq Eksarko! Partizani vajton humbjen e ikonës së

Ish-mbrojtësi i Partizanit, Kristaq Eksarko është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare. Ai fitoi edhe një titull kampion gjatë 7 viteve me të kuqtë.

Vetë klubi kryeqytetas bëri të ditur lajmin e hidhur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale duke i shprehur ngushëllimet familjes, të afërmve dhe miqve të tij për këtë humbje të madhe.

Njoftimi i plotë i Partizanit:

Familja e kuqe dhe futbolli shqiptar humbin një legjendë!

Me keqardhje të thellë përcjellim sot lajmin e ndarjes nga jeta në moshën 66 vjeçare të Kristaq Eksarkos. Ish mbrojtësi energjik i Partizanit dhe kombëtares shqiptare ka qenë pjesë e të kuqve për 7 vite në periudhën 1980 – 1987, duke fituar edhe një titull kampion të Shqipërisë me Partizanin.Eksarko do të mbahet mend në përballjet historike ndërkombëtare me Partizanin luajtur ndaj Austrisë së Vienës dhe suedezëve të Malmo. Me ekipin kombëtar Eksarko do të debutonte në vitin 1983 në ndeshjen ndaj Irlandës së Veriut në Belfast për kualifikueset e Euro 1984. Klubi i Futbollit Partizani dhe Presidenti Gazment Demi i përcjellin ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve për këtë humbje të madhe.U prehsh në paqe legjenda jonë Kristaq Eksarko!-lexohej në komunikatën e Partizanit.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by FK PARTIZANI (@fkpartizani)

Për ndarjen nga jeta të ish futbollistit të Partizanit ka reaguar edhe presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit, Armand Duka nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Një lajm shumë i trishtë për futbollin shqiptar në këtë fundvit. Ndarja nga jeta e Kristaq Eksarkos, ish-futbollist i Kombëtares dhe i Partizanit, është një humbje e madhe për komunitetin tonë. Kristaq Eksarko ishte pjesë e një brezi që la gjurmë në historinë e futbollit shqiptar. Ai kontribuoi me profesionalizëm dhe përkushtim si me fanellën e Kombëtares, ashtu edhe me atë të Partizanit. Dy tituj kampion dhe një Kupë Republike të fituara, si edhe paraqitjet e tij në ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare, mbeten dëshmi e vlerave që ai përfaqësoi në fushë.Në këto momente të dhimbshme, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin sportiv. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në historinë e futbollit shqiptar-shkruante kreu i FSHF në postimin e tij.

kristaq eksarko ish-mbrojtësi i partizanit

Lini një Përgjigje