Java ka nisur me një lajm të trishtë. Ish-basketbollisti i Dinamos dhe gazetari i njohur sportiv, Enea Andrea, është ndarë nga jeta në mënyrë të parakohshme.
Enea Andrea, 55 vjeç, humbi jetën pas një ataku kardiak teksa po stërvitej në palestër. Rreth shtatë vite më parë ai kishte kaluar një problem me zemrën, por pas trajtimit ishte rikthyer në gjendje të mirë fizike dhe vijonte aktivitetin sportiv.
Andrea ishte një emër i njohur i basketbollit shqiptar, ku për shumë vite përfaqësoi ekipin e Dinamos dhe Kombëtaren. Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai u bë një figurë e spikatur në media, si specialist dhe komentator i ndeshjeve të NBA-së, duke fituar vlerësimin e publikut për profesionalizmin dhe pasionin e tij për sportin.
Përtej karrierës sportive dhe mediatike, Enea Andrea ishte edhe vëllai binjak i aktores së njohur shqiptare, Ema Andrea. Ndarja e tij nga jeta ka tronditur familjarët, miqtë, komunitetin sportiv dhe publikun që e njohu dhe e vlerësoi ndër vite.
Lini një Përgjigje