TAGS-AT E JAVËS

Sport31 Mars 2026, 09:55

Kosova në prag historie, përballë Turqisë sot për biletën e Botërorit; si mund të luajnë Dardanët

Shkruar nga Pamfleti

Kosova në prag historie, përballë Turqisë sot për

Mbrëmja e sotme i përket kombëtares së Kosovës, e cila në stadiumin “Fadil Vokrri” do të zhvillojë një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj. Dardanët janë vetëm një hap larg arritjes së një momenti historik: kualifikimit në Kampionatin Botëror të këtij viti.

Një dekadë më parë, një skenar i tillë do të dukej i pamundur për shumëkënd. Megjithatë, sot Kosova ndodhet në kulmin e saj dhe në Prishtinë do të përballet me Turqinë, në një sfidë që mund të konkretizojë ëndrrën e madhe.

Atmosfera në kryeqytet pritet të jetë elektrizuese, me stadiumin që do të jetë i mbushur plot dhe tifozët që pritet të mbështesin pa ndërprerje skuadrën. Përballja ndaj Turqisë simbolizon rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Kosovës, një ekip që ka treguar progres të vazhdueshëm dhe forcë karakteri në momente vendimtare.

Formacioni i mundshëm

Sipas mediave në Kosovë, trajneri Franco Foda pritet të ruajë të njëjtin formacion si në fitoren ndaj Sllovakisë, duke aplikuar skemën 5-3-2, e cila në fazën sulmuese mund të shndërrohet në 3-5-2.

Në portë pritet të jetë Aro Muric, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohen Albian Hajdari, Lumbardh Dellova dhe Kreshnik Hajrizi. Në krahë do të aktivizohen Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni, ndërsa në mesfushë priten Elvis Rexhbeçaj dhe Veldin Hoxha. Përpara tyre do të pozicionohet Florent Muslija, ndërsa në sulm do të jenë Vedat Muriqi, njëkohësisht kapiten i skuadrës, dhe Fisnik Asllani.

Megjithatë, sfida nuk pritet të jetë e lehtë. Përballë qëndron një Turqi me emra të njohur si Hakan Çalhanoğlu, Kenan Yıldız dhe Arda Güler, e cila gjithashtu synon rikthimin në një Kampionat Botëror pas 24 vitesh.

Mbrëmja e sotme konsiderohet si momenti i së vërtetës për Kosovën, ku në lojë është një ëndërr e madhe: pjesëmarrja në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit botëror. Në orën 20:45, vëmendja e tifozëve shqiptarë kudo që ndodhen do të jetë e përqendruar në Prishtinë, për të ndjekur këtë përballje që do të transmetohet në Top Channel dhe platformën Digitalb.

Lini një Përgjigje