Kombëtarja shqiptare U-16 zhvilloi pasditen e kësaj të marte takimin e parë miqësor kundër bashkëmoshatarëve italianë në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’. Ky takim i parë mes Shqipërisë dhe Italisë u mbyll me rezultatin 1-5 në favor të “Axurrëve” U-16.
Trajneri Ervin Bulku hodhi në fushë këtë formacion për Shqipërinë U-16: Alain Taho, Kleo Shpuza, Ergestino Pepnikaj, Renato Halilaj, Jetmir Laze, Mattia Huqi, Eraldo Karaj, Tedi Malaj, Matteo Dashi, Oresti Rifa, Xheto Joi Nuredini.
Kuqezinjtë e drejtuar nga tekniku Bulku kaluan të parët në avantazh me Rifën, i cili mori një top nga mesi i fushës dhe nuk gaboi përballë portës italiane. 1-0 për Shqipërinë në minutën e 20 dhe festë në kampin kuqezi si edhe nga tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit ‘Air Albania’. Epërsia nuk zgjati shumë, pasi italianët barazuan rezultatin pas 8 minutave, nga pika e bardhë e 11-metërshit. Mbrojtësi shqiptar e largoi topin jashtë dhe ndërhyrja nuk ishte e rëndë, por gjyqtarja vendosi të akordonte 11-metërsh, që u shfrytëzua saktë nga italianët e vegjël.
Italia përmbysi rezultatin 10 minuta më vonë me Garofalon, pas një goditje me kokë të saktë brenda zonës, duke e dërguar topin në rrjetë. Në minutën e 43, “Axurrët” realizuan edhe golin e tretë me Maioranën. Pas një gabimi të portierit kuqezi, i cili në tentativë për të rinisur lojën, goditi sulmuesin kundërshtar, i cili përfitoi më së miri dhe e dërgoi topin në rrjetë.
Në fraksionin e dytë, trajneri Bulku bëri disa ndryshime duke hedhur në fushë një pjesë të mirë të futbollistëve që ishin në stol. Miqtë realizuan edhe dy gola të tjerë në këtë pjesë të dytë. Goli i katërt erdhi në minutën e 72, pas një gabimi të Bodurit, i cili i dhuroi një gol italianëve. Sakaq, edhe rrjeta e pestë për italianët ishte sërish një autogol i Renato Halilit.
U mbyll me rezultatin 1-5 në favor të Italisë miqësorja e parë, ndërsa takimi i dytë Shqipëri U-16 – Itali U-16 do të luhet më 23 shkurt, në orën 12:00 në stadiumin “Elbasan Arena”. Ashtu sikurse në këtë takim, edhe në ndeshjen e dytë miqësore, Federata Shqiptare e Futbollit do të hapë dyert për të gjithë tifozët, për t’i dhënë sa më shumë mbështetje kuqezinjve të vegjël.
Lini një Përgjigje