
Interi nisi sezonin e ri të Serie A me një demonstrim force, duke shkatërruar Torinon me rezultatin e thellë 5-0 në “San Siro”.
Një debutim ëndrrash për trajnerin e ri Cristian Chivu, i cili e nisi aventurën e tij në pankinën zikaltër me një fitore bindëse që i jep përgjigje të gjitha dyshimeve mbi të ardhmen e skuadrës.
Alessandro Bastoni hapi serinë e golave në minutën e 18-të, pas një krosimi perfekt nga Barella. Vetëm pak minuta më vonë, Marcus Thuram dyfishoi shifrat në të 36-ën me një finalizim të saktë që ndezi tribuna.
Në pjesën e dytë, ishte radha e kapitenit Lautaro Martínez, i cili shënoi golin e tretë në minutën e 52-të, duke vulosur dominimin total të Interit. Thuram realizoi dopietën e tij në të 62-ën, ndërsa talenti Ange-Yoan Bonny kompletoi “fshesën” zikaltër në minutën e 72-të, duke i dhënë shifrat përfundimtare 5-0.
Me këtë sukses, Inter jo vetëm që fiton tre pikë, por dërgon edhe një sinjal të qartë për rivalët e titullit: Chivu ka një skuadër të uritur, të organizuar dhe të gatshme për të luftuar deri në fund.
Torino, në anën tjetër, nuk arriti të reagojë në asnjë moment, duke u dorëzuar pa kushte ndaj ritmit të lartë të zikaltërve dhe duke u larguar nga Milano me një disfatë të rëndë që rrit pikëpyetjet mbi sezonin e saj.
Golashënuesit: Bastoni 18′, Thuram 36′, 62′, Lautaro 52′, Bonny 72′
Lini një Përgjigje