
Ish-boksieri shqiptar nga Kosova, Besar Nimani është vrarë sot në qytetin e Bielefeldit në Gjermani. Këtë e kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit. Sipas raportimeve nga mediat në Gjermani si dhe bazuar në deklaratat e dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, Nimani është qëlluar sapo ka dalë nga restoranti.
Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur edhe vëllai i të ndjerit, Berat Nimani, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Sot ne një pritë në Bielefeld te Gjermanisë është vra vllau im Besar Nimani. Ishalla Zoti na bashkon në xhenet me të. Përjet e mot krenar me ty, shpirtin me ta marr tradhtisht kan mujt vra por me poshtru kurr askush. Te dua”, shkroi ai.
Sipas raportimeve të dëshmitarëve, një grup prej pesë deri në gjashtë persona ishin ulur së bashku në një lokal. Më pas thuhet se të gjithë janë larguar së bashku nga restoranti. Pastaj papritmas pati të shtëna jashtë restorantit. Gjashtë deri në tetë herë thuhet se është qëlluar në vendin e ngjarjes.
Sipas prestigjozes Bild, vdekja e 38-vjeçarit është konstatuar në vendngjarje nga ekipi mjekësor. Autorët që kryen këtë vrasje nuk janë identifikuar nga autoritetet gjermane, ndërsa një sulm i ngjashëm ndaj tij kishte ndodhur edhe në vitin 2013.
Nimani gjatë karrierës së tij si boksier profesionist ka zhvilluar 27 ndeshje, ku ka arritur që të shënojë fitore në 26 prej tyre, ndërsa ka pësuar vetëm një humbje.
Lini një Përgjigje