Skuadra e Elbasanit ka vendosur të tërheqë përgjithmonë fanelën me numrin 27, në shenjë respekti dhe nderimi për ish-futbollistin Fatjon Bunjaku, i cili humbi jetën tragjikisht në moshën 22-vjeçare.
Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në rrjetet sociale, ku drejtuesit e klubit theksojnë se ky vendim synon të ruajë përherë kujtimin e Bunjakut si pjesë të historisë dhe trashëgimisë së Elbasanit.
Sipas klubit, tërheqja e numrit 27 është një gjest simbolik për të nderuar kontributin dhe figurën e ish-lojtarit, i cili do të mbetet gjithmonë pjesë e familjes verdheblu.
Fatjon Bunjaku humbi jetën në orët e para të mëngjesit të së dielës, si pasojë e një aksidenti rrugor në aksin Vushtrri-Mitrovicë. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta nga komuniteti sportiv, tifozët, miqtë dhe familjarët, të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjen e parakohshme.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, familjarë, miq dhe dashamirës të futbollit i dhanë lamtumirën e fundit 22-vjeçarit.
Njoftimi i Elbasanit:
“Homazhet për Fatjon Bunjakun përfunduan, por kujtimi i tij do të mbetet përgjithmonë pjesë e familjes sonë.
Çdo lule, çdo mesazh ngushëllimi dhe çdo lutje e ardhur nga qyteti i Elbasanit u përcoll familjes së tij në Kosovë si dëshmi e dashurisë dhe respektit që Fatjoni fitoi mes nesh.
Ndërsa klubi vazhdon rrugëtimin e tij, Fatjoni do të jetë i pranishëm në çdo ndeshje, në çdo sukses dhe në çdo emocion që do të përjetojmë së bashku.
Si shenjë respekti dhe mirënjohjeje të përhershme për Fatjon Bunjakun, numri 27 do të tërhiqet nga përdorimi në AF Elbasani dhe do të mbetet përgjithmonë pjesë e trashëgimisë së tij në klub”, shkruan Elbasani.
Lini një Përgjigje