
Dita e sotme ka qenë e veçantë për futbollistin shqiptar Brajan Gruda. Sulmuesi anësor i Maincit, ka thyer një mallkim që e përndiqte në këto dy sezone ku ai është bërë pjesë e skuadrës së parë në Bundesligë.
Gruda ka luajtur sot ndeshjen e tij të 20 në Bundesligën gjermane dhe për herë të parë, ka arritur t’i gëzohet si profesionist me klubin një fitoreje në një ndeshje në të cilën ai ka zbritur në fushë. Në 19 ndeshjet e mëparshme në Bundesligë, ashtu si edhe në një ndeshje në Kupën e Gjermanisë, ai nuk i ishte gëzuar asnjëherë fitores, me skuadrën e tij që kishte barazuar apo humbur.
Futbollisti 19-vjeçar ishte titullar në duelin e sotëm ndaj Augsburgut, në të cilin skuadra e tij fitoi me shifrat 1-0 falë golit të Amirit.
Futbollisti shqiptar, i cili luan me përfaqësueset e moshave të Gjermanisë, po ndiqet me shumë interes edhe nga stafi i Kombëtares shqiptare, pasi trajneri Silvinjo e ka atë në listën e emrave që po monitoron për të ardhmen. Duhet kujtuar që Brajan Gruda është djali i ish-futbollistit të Vllaznisë, Bujar Gruda, i cili ka qenë pjesë e kuqebluve në fillimin e viteve ’90, para se të emigronte drejt Gjermanisë.
Lini një Përgjigje