
Formula 1 ka konfirmuar rikthimin e Çmimit të Madh të Turqisë në Kampionatin Botëror të FIA-s duke nisur nga sezoni 2027. Sipas njoftimit zyrtar, pista “Istanbul Park” do të jetë pjesë e kalendarit deri në vitin 2031, pas një marrëveshjeje të re me Ministrinë e Rinisë dhe Sporteve të Turqisë.
Organizimi i garave do të bëhet në bashkëpunim me Federatën Turke të Sporteve Automobilistike (TOSFED), e cila do të shërbejë si partner lokal i Formula 1 për eventet e ardhshme.
Çmimi i Madh i Turqisë u zhvillua për herë të fundit në vitet 2020 dhe 2021, periudhë kur u rikthye përkohësisht në kalendar. Në vitin 2020, Luis Hamilton siguroi në këtë pistë titullin e tij të shtatë botëror, duke barazuar rekordin historik të Majkëll Shumaker.
“Istanbul Park”, e futur për herë të parë në kalendar në vitin 2005, konsiderohet një nga pistat më teknike në Formula 1. Me një gjatësi prej 5.33 kilometrash dhe ndryshime të theksuara në lartësi, ajo paraqet sfida të konsiderueshme për pilotët dhe makinat.
Një nga segmentet më të njohura është kthesa 8, një kthesë komplekse me shumë kulme, që kërkon saktësi dhe kontroll maksimal për të ruajtur shpejtësinë dhe ekuilibrin.
Fituesi i fundit në këtë pistë është Valteri Botas, i cili triumfoi në vitin 2021 me Mercedes. Ai dhe Luis Hamilton janë dy pilotët e vetëm aktivë që kanë fituar në Turqi.
Rekordin për më shumë fitore në “Istanbul Park” e mban Felipe Masa, me tre suksese radhazi nga viti 2006 deri në 2008 me Ferrarin. Në këtë pistë kanë fituar gjithashtu edhe emra të njohur si Kimi Raikonen, Sebastian Vetel dhe Xhenson Batën.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e cilësoi Formula 1 si një nga ngjarjet sportive më të rëndësishme në botë, duke theksuar ndikimin e saj në teknologji dhe tërheqjen për audiencat e reja.
Sipas tij, ky sport gëzon një interes të gjerë në Turqi, veçanërisht te të rinjtë. Ai deklaroi se garat arrijnë rreth 19 milionë ndjekës në vend, ndërsa rreth 7.5 milionë i ndjekin në mënyrë aktive në rrjetet sociale.
“Formula 1 renditet ndër ngjarjet sportive më të rëndësishme në botë, e dalluar për spektaklin, bazën e tifozëve të rinj dhe lidershipin e saj në teknologjitë e automobilave.
Edhe në vendin tonë, Formula 1 gëzon një numër të gjerë ndjekësish në të gjitha grupmoshat, veçanërisht në mesin e të rinjve tanë, me një bazë tifozësh vërtet të apasionuar. Garat arrijnë gati 19 milionë njerëz në vendin tonë, ndërsa rreth 7.5 milionë i ndjekin nga afër në mediat sociale", tha ai.
Lini një Përgjigje