
Forma e mirë e Vedat Muriqit në La Liga ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të njohura evropiane, të cilat kanë shprehur interes për shërbimet e sulmuesit të Majorkës.
Sulmuesi kosovar po kalon një sezon të jashtëzakonshëm në Spanjë, duke realizuar 21 gola në 31 ndeshje. Me këtë paraqitje, ai është shndërruar në golashënuesin më të mirë në historinë e klubit të Majorkës në La Liga.
Megjithatë, pavarësisht spekulimeve për një transferim të mundshëm, menaxheri i tij, Utku Cenikli, ka sqaruar situatën në një intervistë për median spanjolle “AS”. Sipas tij, aktualisht nuk ka zhvillime konkrete për largimin e lojtarit.
“Isha në ndeshjen kundër Valencias për ta parë nga afër Muriqin. E kam vizituar edhe më herët. Nuk ka të reja sa i përket ndonjë transferimi. Vedati është një lojtar i dëshmuar dhe ka lidhje të forta me Majorkën. Ai për momentin synon të përfundojë me sukses sezonin dhe është plotësisht i fokusuar te skuadra”, ka deklaruar Cenikli.
Muriqi ka kontratë me klubin spanjoll deri në vitin 2029, çka e bën edhe më të vështirë një lëvizje të mundshme në afatin e afërt.
Ndërkohë, sulmuesi festoi të premten ditëlindjen e tij të 32-të. Klubi i Majorkës e uroi në mënyrë të veçantë, duke e cilësuar si “golashënuesin më të mirë në historinë e tyre në La Liga”.

Lini një Përgjigje