TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Korrik 2023, 21:14

Enkielda Carja konfirmohet vajza më e talentuar e peshëngritjes shqiptare, 3 medalje ari me 5 rekorde Europe

Shkruar nga Pamfleti

Enkielda Carja konfirmohet vajza më e talentuar e peshëngritjes

Enkileda Carja konfirmohet edhe një herë si vajza më e talentuar e peshëngritjes shqiptare. 15-vjeçarja elbasanase ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme në Kampionatin Europian U-15 që po mbahet në Kishinau të Moldavisë, teksa i ka dhuruar Shqipërisë 3 medalje të arta, të cilat kanë ardhur me 5 rekorde Europe për këtë grupmoshë.

Një formë fantastike nga Carja, e cila është një talent i dalë nga skuadra Elbasanit e trajneres Eglantina Kalemi.

Enkileda Carja konkurroi në kategorinë e peshave 59 kg, ndërsa futej në garë si favorite kryesore për t’u shpallur kampione.

Peshëngritësja elbasanase e filloi me këmbë të mbarë, teksa që në provën e parë fiksoi rekord europian në shkëputje me 81 kg.

Por nuk u ndal me kaq, pasi në provën e dytë kaloi me sukses plot 84 kg, duke e përmirësuar sërish rekordin, për të hipotekuar medaljen e parë të artë.

Enkielda Carja konfirmohet vajza më e talentuar e peshëngritjes

Më tej ishte radha e stilit të shtytjes, ku përsëri Carja u tregua fantastike, teksa në provën e parë shënoi rekordin e tretë europian duke ngritur 97 kg, për ta përmirësuar atë në provën e dytë, duke realizuar me sukses 100 kg për të siguruar edhe medaljen e dytë të artë.

Kështu me 184 kg, Carja bën të sajën edhe medaljen e tretë të artë me një tjetër rekord europian në dygarësh, për të mbyllur një konkurrim fenomenal si kampione e trefishtë me 5 rekorde europiane për moshat U-15.

Në fund ishte radha e ceremonisë me flamurin shqiptar kuqezi që u ngjit në shkallën më të lartë të podiumit dhe me himnin shqiptar në sfond.

Enkielda Carja konfirmohet vajza më e talentuar e peshëngritjes

Kështu pas tri medaljeve të bronzta të fituara një vit më parë në Europianin 2022, Carja tashmë i bën të arta në këtë sezon, duke u konfirmuar si një yll i ri në shtangën shqiptare. Kujtojmë se vetëm disa muaj më parë, Enkileda fitoi edhe 2 medalje bronzi në Kampionatin Botëror të moshave që u mbajt në Durrës.

Shqipëria në Europianin për U-15 dhe për të rinj që po mbahet në Moldavi paraqitet me dy sportistë, teksa pas konkurrimit të Carjas, nesër do të jetë radha për Samoel Rrasën, i cili gjithashtu synon zonën e medaljeve.

enkileda carja peshëngritësja shqiptare

Lini një Përgjigje