
Pas disa muajsh pa ekip, Rei Manaj ka firmosur një kontratë trevjeçare me turqit e Sivaspor, në Superligë. Sulmuesi do të tentojë të kthehet në formë dhe ndoshta një rikthim në Kombëtare, ku synon që të luajë një kampionat europian ose botëror. Këtë e thotë vetë Manaj në një intervistë për “Digital Journal”.
Motivimi– Për motivimet e tij të përditshme si futbollist, Manaj tha: “Normalisht kam nevojë për motivim në karrierën time. Më pëlqen të përcaktoj synimet e mia për sezonin që do të nisë, që mund të jenë gola, por mbi të gjitha qëllimet e ekipit, rritja dhe ngjitja më lart është më e rëndësishmja”.
Këshilla- Për futbollistët e rinj dhe aspirantë, sulmuesi theksoi: “Këshilla më e mirë që mund t’u jap të rinjve është të dëgjojnë prindërit e tyre dhe së dyti, mos mendoni vetëm për paratë, duhet të jeni të pasionuar dhe të doni atë që bëni dhe pjesa tjetër vijon, kjo është gjëja kryesore”.
Kapitulli i ri- Për aventurën e tij të re që ka nisur në Turqi, lushnjari thotë: Synoj të shkoj sa më lart. Sapo kam nënshkruar për një ekip të ri, Sivaspori dhe jam gati dhe më i përkushtuar se kurrë. Planet e mia për të ardhmen e afërt janë të vazhdoj të përmirësoj aftësitë e mia dhe të rritem si lojtar, në mënyrë që të luaj në Ligën e Kampioneve. Më vonë do të doja t’i përkushtohesha familjes sime, duke përfunduar futbollin tashmë kam bërë investime për të ardhmen time, që kjo të jetë e mundur. Unë dua që jeta të jetë aq e mirë sa mund të jetë dhe të siguroj që fëmijët dhe familja ime të kenë një jetë më të mirë”, shtoi sulmuesi.
Momenti më i mirë- Manaj ka ndarë momentin e tij më krenar nga ana profesionale deri tani në futboll. “Mendoj se momenti më i mirë i karrierës sime deri më tani ishte ndeshja ime e parë duke luajtur për Barcelonën dhe duke shënuar një tripletë, por shpresoj të përmbush ëndrrën time për të luajtur një Botëror ose kampionatin europian me Shqipërinë”, u shpreh 26- vjeçari.
Vështirësitë- Ai beson fort se vështirësitë na bëjnë më të fortë. Për momentet e tij përcaktuese në karrierë, ai zbuloi: “Unë mendoj se po, veçanërisht në momentet më të vështira që kam mësuar shumë. Më bëri të kuptoja se në këtë botë, në shumicën e rasteve, duhet të dalësh prej saj vetëm, pa ndihmën e askujt”, thotë Rei.
Rrjetet Sociale- Duke qenë një lojtar futbolli në epokën dixhitale, tani me transmetimin, teknologjinë dhe mediat sociale ,që janë kaq të përhapura, ai tha: “Ashtu si çdo gjë, ka avantazhe dhe disavantazhe. Ka avantazhe të mëdha për sa u përket njohurive dhe sponsorizimit, dhe nga ana tjetër mediat sociale mund të jenë shumë false. Mundohem t’i përdor sa më pak dhe vetëm për futboll”, shpjegoi Manaj.
Motoja e preferuar- Sulmuesi ka treguar edhe moton e tij të preferuar: “Një moto që më pëlqen shumë është ‘ëndrrat e tua mund të prekin qiellin, por këmbët e tua duhet të qëndrojnë gjithmonë në tokë”. “Duhet të jesh gjithmonë i përulur,” pranoi ai.
Tifozët– Emocioni që të japin tifozët për Rei Manajn është diçka e papërshkrueshme: “Gjëja që e bën futbollin më të bukur për mua është pasioni i tifozëve, dashuria që të japin pasi shënon një gol, respekti dhe mbështetja që të japin. Edhe takimi me fansat jashtë që duan të bëjnë foto, ky është një emocion që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Tifozët janë njerëz që mund të mos kenë pasur mundësinë të bëjnë atë që kanë dashur në jetë për arsye të ndryshme, dhe në një mënyrë të vogël e shohin veten te ju, kështu që ju mbështesin me forcat e tyre,” shtoi ai.
Suksesi për Manajn– Përkufizimi i tij për fjalën sukses, sipas Manajt ishte: “Fjala sukses ka një kuptim të ndryshëm për të gjithë, por për mua suksesi është të jem shembull për njerëzit e tjerë. Një shembull për familjen time dhe njerëzit që më shikojnë. Jo vetëm të jesh i suksesshëm në futboll, por në përgjithësi në jetë është i rëndësishëm”, përfundoi Manaj.
Lini një Përgjigje