
Ndodhi pikërisht ajo që pritej. Dinamo zgjodhi Dritan Mehmetin për stolin, dhe kjo vetëm dy ditë pasi Luixhi Di Biaxho dha dorëheqjen.
Trajneri 43-vjeçar do të bëjë një rikthim te Blutë, pasi drejtoi ekipin sezonin e kaluar në Kategorinë e Parë, dhe prezantimi do të bëhet këtë të mërkurë në orën 10:00 në kompleksin në Arbanë.
Di Biaxho u largua në vazhdë të humbjes ndaj Teutës në Elbasan, ndërsa ekipi është në vendin e fundit në renditjen e Superligës me 7 pikë pas 9 javësh, pra pas fundit të fazës së parë.
Presidenti Bardhi deklaroi se klubi e kishte njeriun e duhur brenda tij, ndërsa nënkuptohej që Mehmeti ishte favoriti.
Ai ishte në drejtimin e Dinamos që u ringjit në elitë vetëm një vit pasi u rrëzua sërish. Po ashtu, ai ka punuar si trajner i Partizanit në sezonin 2021-2022, i zëvendësuar nga italiani Kolela.
Karriera e Dritan Mehmetit është e lidhur me dy klubet e kryeqytetit, sidomos me Dinamon ku ka qenë edhe në vitet 2012 e 2013-2015, por gjithashtu ka punuar me Korabin e Peshkopisë para 7 sezoneve.
Kujtojmë që në verë Dritan Mehmeti punoi me Fatjon Tafajn si ndihmës dhe italianin Korrado Sakone si përgatitës atletik. Ky i fundit qendroi edhe kur drejtimin e skuadrës e mori Di Biaxho, por disa ditë më parë ai mbeti jashtë stafit teknik të Dinamos.
Me rikthimin e Mehmetit pritet që edhe ai të rikthehet. Një tjetër rikthim i bujshëm pritet të jetë ai i Ilir Bozhiqit, përgatitësit të njohur të portierëve, pjesë edhe e stafit të Kombëtares shqiptare në këtë rol.
Bozhiqi ka qenë një nga kërkesat kryesore të trajnerit Mehmeti dhe u duk thuajse i sigurt rikthimi i tij, por më pas situata mori rrjedhë tjetër. Ilir Bozhiqi ka qenë më parë portier i Dinamos dhe pjesë e stafit teknik të saj, duke fituar madje edhe titullin kampion. Tani duket se ka ardhur momenti i duhur për rikthimin në shtëpi të mjeshtrit të dorezave.
Lini një Përgjigje