
Interi ka marrë fitoren e dytë radhazi në Champions League. Zikaltërit kanë mposhtur në “San Siro” Salcburgun me rezultatin 2-1. Ekipi i drejtuar nga Simone Inzagi zhbllokoi ndeshjen në minutën e 19. Aleksis Sançez kaloi në avantazh skuadrën e tij pas asistit të Fratezit.
Në minutën e 57, miqtë nga Austria barazuan shifrat. Talenti izraelit, Gloukh surprizoi vendasit, duke realizuar një gol mjaft të bukur me të djathtën, duke e dërguat topin në cepin e portës.
7 minuta më vonë, Interi gjeti golin që i dha 3 pikët. Çalhanoglu realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.
Në fushë edhe Asllani, i cili u aktivizua në minutën e 76 në vend të Çalhanoglu. Kjo ishte fitorja e 100 për zikaltrit në Champions League, ish-Kupa e Kampionëve. Një histori triumfesh e nisur me Helenio Herreran me një 1-0 kundër Evertonit.
Fitore edhe për Bajernin e Mynihut që ka mundur 3-1 në transfertë Gallatasarajin. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, pasi Koman kaloi në avantazh bavarezët dhe Ikardi barazoi për vendasit me një penallti në stilin “panenka”.
Protagonistët e pjesë së dytë ishin Kejn dhe Musiala. Anglezi ktheu në avantazh miqtë në minutën e 73, pas një asisti të marrë nga Musiala, dhe ky i fundit fiksoi shifrat në 3-1 pas një asisti të marrë nga Kejn.
Bajerni kryeson Grupin A me 9 pikë, ndërsa Gallatasaraji është në vendin e dytë me 4 pikë.
Lini një Përgjigje