
Drita nuk ia ka dalë të bëjë mrekullinë ndaj rumunëve të Steauas së Bukureshtit, duke u mposhtur me rezultatin 1-3 në duelin e kthimit të Ligës së Europës të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.
Në përballjen e parë të zhvilluar në Bukuresht, kampionët e Kosovës u mposhtën me rezultatin 3-2, teksa rezultati i përgjithshëm është 6-3 për skuadrën rumune.
Sfida nisi mjaft keq për ekipin e drejtuar nga Zekerija Ramadani, të cilët e pësuan që në minutën e parë, ndërsa në minutën e 18 pësuan dhe golin e dytë.
Një rreze shprese u ndez në minutën e 52 kur Tusha ngushtoi diferencën, por Politik i dha fund çdo gjëje pas golit në minutën e 85’ ndërsa pak më parë kampionët e Kosovës mbetën me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Brojës.
Drita do të vazhdojë aventurën e saj në “play offin” e të Ligës së Konferencës, ku do të përballet me skuadrën luksemburgase të Diferdanzh.
Lini një Përgjigje