
Sfida mes Vllaznisë dhe Bylisit për grupmoshën U-19, e vlefshme për kampionatin Abissnet Superiore, është mbyllur me fitoren 3–1 të skuadrës së Bylisit. Megjithatë, përtej rezultatit sportiv, ndeshja është shoqëruar me një incident të rëndë.
Sipas një reagimi zyrtar të publikuar nga klubi i Bylisit në rrjetet sociale, gjatë pauzës së takimit, për shkak të rënies intensive të breshërit, të dyja skuadrat janë drejtuar drejt dhomave të zhveshjes. Pikërisht në këtë moment, klubi ballshiot pretendon se trajneri i portierëve të Vllaznisë, së bashku me një person civil, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj lojtarëve të Bylisit.
Në reagimin e tij, klubi bardhekuq bën me dije se ka njoftuar Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) si dhe Policinë e Shtetit, duke kërkuar marrjen e masave të nevojshme për sqarimin e plotë të ngjarjes.
Ndeshja u zhvillua në fushën sportive “Reshit Rusi” në Shkodër. Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga klubi i Vllaznisë lidhur me akuzat e ngritura.
Lini një Përgjigje