TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Prill 2024, 19:22

Dështim total, shtanga shqiptare jashtë Olimpiadës së Parisit, Briken Calja renditet i dhjeti në Botë

Shkruar nga Pamfleti

Dështim total, shtanga shqiptare jashtë Olimpiadës së

Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes që po mbahet në Phuket të Tajlandës. Briken Calja ka bërë një paraqitje të mirë, duke treguar përmirësim të ndjeshëm në raport me garat e fundit, por pa mundur që të lerë shumë gjurmë.

34-vjeçari kuqezi e nisi konkurrimin nga Bateria B e peshave 73 kg, duke e mbyllur Botërorin në vendin e dhjetë, në shkëputje, shtytje, dhe dygarësh. Calja regjistroi 152 kg në stilin e shkëputjes, 181 kg në stilin e shtytjes, duke e mbyllur dygarëshin me 333 kg, me vend të dhjetë të trefishtë.

Ndonëse nuk vinte në gjendjen e tij më të mirë, në luftë me rënien nga pesha dhe me problemet fizike, Calja e  përmirësoi me 5 kg rezultatin total të Kampionatit Europian që u mbajt gjatë muajit shkurt në Bullgari. Por rezultati 333 kg mbetet larg maksimumit të shtërmenasit, i cili 3 vite më parë regjistronte 342 kg, duke tronditur botën me medalje ari dhe argjendi në Botëror.

Kujtojmë që Botërori i Tajlandës ishte edhe eventi i fundit kualifikues për në Lojërat Olimpike, ndërsa Shqipëria aktualisht mbetet jashtë normës për “Paris 2024”. Calja renditet në i 13-ti në ranglistë dhe shanset për një biletë kualifikuese me normë për të në Paris tashmë janë thuajse zero. Kampioni ynë provoi deri në fund për të prekur për herë të katërt ëndrrën olimpike, madje duke sakrifikuar edhe aspektin financiar. Ai nuk bëri kompromis, duke filluar që nga Europiani, teksa zgjodhi të masë forcat në peshë olimpike dhe me konkurrencë të jashtëzakonshme, me qëllimin e vetëm për të kapur normën e “Paris 2024”.

briken calja peshëngritësi shqiptar

Lini një Përgjigje