
Ka nisur sot faza e parë e raundit të parë kualifikues në Champions League, aty ku marrin pjesë edhe ekipet shqiptare. Në “Fadil Vokrri”, kampionia e Kosovës, Drita, u përballë me kampionin e Luksemburgut, Diferdanzh.
Edhe pse dardanët e drejtuar nga Zekirija Ramadani vinin si favorit në këtë takim, e patën shumë të vështirë të gjenin golin. Pjesa e parë u mbyll me rrjetat të paprekura. Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 73, ku vendasit gjetën golin me yllin e tyre Arb Manaj, i cili shtyu topin në rrjetë, pas një aksioni të shpejtë.
Drita fiton përfundimisht 1-0 dhe shkon me avantazhin e një goli në ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet pas një jave në Luksemburg.
Po ashtu ka nisur sot aventurën në Champions League, edhe Shkëndija e Tetovës, e cila luajti në transfertë ndaj uellsianëve të TNS.
Kuqezinjtë e Tetovës zhvilluan një ndeshje të kujdesshme, duke u munduar të shmangnin gabimet përballë një ekipi që ka bërë shumë mirë në Europë në vitet e fundit. Tetovarët u mbrojtën me rregull, pa harruar edhe të thumbonin portën vendase në kërkim të një goli.
Por deri në vërshëllimën përfundimtare, rrjetat nuk u tundën e kësisoj, sfida u mbyll me një barazim pa gola që lë gjithçka hapur për përballjen e kthimit në javën e ardhshme.
Lini një Përgjigje