
Barcelona ka regjistruar fitoren e tretë radhazi në La Liga, pasi mposhti në transfertë Atletik Bilbao me rezultatin minimal 0-1 në stadiumin “San Mamés”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 27-të të kampionatit spanjoll.
Skuadra vendase e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe iu afrua menjëherë golit në aksionin e parë të takimit. Një top i devijuar nga Zhoao Kanselo përfundoi në traversë, duke shpëtuar Barcelonën nga pësimi i hershëm i golit. Pas këtij momenti, loja u zhvillua me më pak raste të rrezikshme nga të dyja skuadrat, ndërsa pjesa e parë u mbyll pa gola, 0-0.
Momenti vendimtar i takimit erdhi në minutën e 68-të. Pedri, i aktivizuar në pjesën e dytë si zëvendësues, dhuroi një asist të saktë për Lamin Jamal. Talenti i Barcelonës finalizoi me një goditje të bukur me të majtën brenda zonës, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke kaluar katalanasit në avantazh.
Deri në fund të ndeshjes rezultati mbeti i pandryshuar. Me këtë fitore, Barcelona ruan vendin e parë në renditjen e La Ligës me katër pikë më shumë se Real Madrid, që ndjek nga vendi i dytë. Ndërkohë, Atletik Bilbao mbetet në vendin e nëntë të klasifikimit.
Lini një Përgjigje