TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Korrik 2026, 10:30

Lufta kundër korrupsionit, kreu i SPAK mesazh Kuvendit: Jepni zgjidhje për mandatin e prokurorëve, rrezikohen hetimet

Shkruar nga Pamfleti
Lufta kundër korrupsionit, kreu i SPAK mesazh Kuvendit: Jepni zgjidhje
Kreu i SPAK, Klodian Braho te Komisioni i Ligjeve

Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, drejtuesi i SPAK kërkoi rishikimin e modelit të mandatit 9-vjeçar, ndërsa prezantoi edhe bilancin e punës së institucionit për vitin 2025.

Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, ngriti shqetësimin për statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar, gjatë raportimit të tij në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e institucionit në vitin 2025.

Sipas Brahos, mungesa e një zgjidhjeje të qartë ligjore për të ardhmen e prokurorëve të posaçëm mund të cenojë vijimësinë e hetimeve dhe të dëmtojë ruajtjen e ekspertizës së krijuar ndër vite brenda SPAK-ut. Ai kujtoi se Kushtetuta parashikon një mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi, por theksoi se, pas disa vitesh funksionimi të institucionit, ky model duhet të rivlerësohet.

“Mospërcaktimi i qartë ligjor mundet të cënojë vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar në besimin e publikut dhe në përmbushjen e kërkesave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Kushtetuta ka parashikuar një mandat 9-vjeçar për prokurorët e posaçëm, pa të drejtë riemërimi. Ky model ka pasur qëllimin e vet në fazën e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë. Megjithatë, pas këtyre viteve të funksionimit, është e nevojshme të vlerësohet nëse ky model garanton mjaftueshëm vijimësinë profesionale të Prokurorisë së Posaçme.

Përfundimi i mandatit të prokurorëve të posaçëm krijon jo thjeshtë çështje të karrierës së tyre individuale, por krijon edhe çështje të ruajtjes së eksperiencës së specializuar që është krijuar brenda SPAK-ut. Kjo eksperiencë lidhet me hetime komplekse, bashkëpunim ndërkombëtar, hetim financiar dhe administrim të çështjeve me ndjeshmëri të lartë publike”, theksoi Braho.

Kjo çështje është ngritur më herët edhe nga ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili kishte sugjeruar që prokurorëve të posaçëm t’u jepet mundësia e rikandidimit pas përfundimit të mandatit.

Gjatë raportimit, Braho prezantoi edhe të dhënat mbi aktivitetin e SPAK gjatë vitit 2025. Ai bëri të ditur se institucioni ka hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 577 janë mbartur nga viti 2024 dhe 294 janë çështje të reja. Krahasuar me një vit më parë, volumi i hetimeve është rritur me 4.9%, ndërsa janë përfunduar 216 procedime.

Një tjetër tregues që, sipas tij, dëshmon ndryshimin e qasjes së SPAK është rritja e hetimeve të nisura kryesisht. Nga 294 procedime të reja, 209 janë regjistruar me iniciativën e vetë institucionit.

“SPAK ka hetuar 871 procedime, 577 janë bartur nga viti 2024, ndërsa 294 janë regjistruar si çështje të reja. Me 2024. Kjo përfaqëson rritje të volumit të hetimeve në masën 4.9%. Janë përfunduar 216 çështje, duke ruajtur nivelin e vetit paraardhës. SPAK ka përballuar një ngarkesë në rritje pa humbur qëndrueshmërinë në humbjen e hetimeve. Tregues i rënd është rritja e qasjes proaktive. Nga 294 procedime të reja 209 janë regjistruar kryesisht nga SPAK. Ose rreth 37% e totalit të çështjeve të nisura kryesisht, në 2024 ky tregues ishte 19.8%. Kjo tregon që SPAK po mbështet në analizë, hetim financiar dhe jo vetëm referime të ardhura nga institucione të tjera apo kallëzime”, tha Braho.

Drejtuesi i SPAK u ndal edhe te masat e sigurimit personal, duke theksuar se arresti me burg po përdoret gjithnjë e më shumë si masë e fundit. Sipas tij, numri i arrestimeve me burg ka rënë me 53.4%, nga 236 raste në vitin 2024 në 110 raste gjatë vitit 2025.

“Duke e konsideruar arrestin me burg si mjeti i fundit të sigurimit personal. Masa arrest me burg ka pësuar rënë me 53.4%, e përkthyer në 236 në 2024 me 110 raste në 2025. Prej totalit të masave, rreth 3.45% lidhen me korrupsionin, ndërsa 21.14% të totalit me krimin e organizuar”, tha Braho.

Braho vlerësoi se korrupsioni vijon të mbetet një fenomen shqetësues, ndërsa theksoi se grupet e krimit të organizuar po operojnë me struktura gjithnjë e më të sofistikuara, duke përdorur komunikime të enkriptuara, transaksione informale dhe investime në pasuri të paluajtshme.

1 Komente

  1. P
    Plaku xhuxhumaku

    Shkoni e pirdhuni o spak-u… U lëpieni politikanëve të korruptuar, për karriget tuaja…. 2029 është larg akoma. Keni kohë sa ta pastroni vëndin, nga këta plehra…

    Lini një Përgjigje