
Kanë përfunduar disa nga ndeshjet e javës së 22-të në Bundesligë, me Bajernin e Mynihut që vijon marshimin në krye të renditjes, ndërsa Hoffenheimi dhe Leverkuseni siguruan fitore të rëndësishme në objektivat e tyre sezonale.
Bajerni i Mynihut bëri detyrën në transfertë, duke mposhtur 0-3 Verder Bremenin. Skuadra bavareze zgjidhi gjithçka që në pjesën e parë falë dy golave të Herri Kejn. Sulmuesi anglez realizoi fillimisht nga pika e bardhë e penalltisë dhe më pas dyfishoi me një goditje të fuqishme nga distanca.
Në minutën e 70-të, Leon Gorecka shënoi golin e tretë, duke vulosur fitoren e kampionëve dhe duke mbyllur përfundimisht llogaritë e sfidës.
Pas këtij suksesi, Bajerni rikthen diferencën në gjashtë pikë nga vendi i dytë, që mbahet nga Borusia e Dortmundit. Verdhezinjtë kishin fituar një natë më parë me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Maincit.
Hofenheimi u rikthye te fitorja në kampionat, duke mposhtur në shtëpi 3-0 Frajburgun. Ndeshja u zhbllokua në fillim të pjesës së dytë nga Fisnik Asllani. Sulmuesi i Kosovës realizoi golin e shtatë sezonal, si dhe të parin për të në Bundesligë.
Ozan Kabak dyfishoi shifrat për vendasit, ndërsa në kohën shtesë i sapofuturi Gendrei shënoi golin e tretë, duke vulosur fitoren 3-0.
Me këtë triumf, Hoffenheimi ngjitet në vendin e tretë me 45 pikë.
Fitore të rëndësishme regjistroi edhe Bajer Leverkuseni, që mposhti 4-0 St. Paulin në “BayArena”. “Aspirinat” ngjiten në kuotën e 39 pikëve, njësoj si Lajpcigu dhe Shtutgarti, por me golavarazh më të mirë.
Megjithatë, Lajpcigu dhe Shtutgarti ende nuk e kanë zhvilluar ndeshjen e javës së 22-të.
Fitore për Eintrahtin dhe Hamburgun
Në takimet e tjera të ditës, Eintrahti i Frankfurtit fitoi 3-0 ndaj Borusia Mëshengladbahut, ndërsa Hamburgu triumfoi 3-2 përballë Unionit të Berlinit, në një sfidë me pesë gola dhe rivalitet të fortë deri në fund.
Lini një Përgjigje