
Armando Broja nuk ishte pjesë e skuadrës së Bërnlit as në sfidën e FA Cup ndaj Mansfild Taun. Sulmuesi shqiptar mungoi jo vetëm nga formacioni titullar, por edhe nga stoli, me trajnerin Skot Parker që vendosi të mos e përfshijë në listën e lojtarëve të grumbulluar.
Ky vendim vjen në një moment të rëndësishëm për klubin anglez, i cili është në garë për objektivat e sezonit. Situata e Brojës mbetet e paqartë, ndërsa kjo nuk është hera e parë që ai lihet jashtë. Edhe në një ndeshje të mëparshme të Premier Ligës, tekniku kishte zgjedhur të mos e aktivizonte, duke e cilësuar atë si “vendim teknik”.
Pavarësisht se ka lënë pas problemet fizike dhe është rikuperuar nga dëmtimet, sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk po arrin të sigurojë hapësira në formacionin e Bërnlit. Mungesat e njëpasnjëshme kanë shtuar pikëpyetjet mbi rolin dhe të ardhmen e tij në skuadër.
Bërnli e transferoi përfundimisht Brojën nga Çelsi gjatë merkatos së verës, duke nënshkruar me të një kontratë afatgjatë deri në vitin 2030. Megjithatë, deri më tani, aktivizimi i tij ka qenë i kufizuar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse situata do të ndryshojë në javët në vijim.

Lini një Përgjigje