
Delis Gjeci ka hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke nënshkruar kontratën e parë si futbollist profesionist me Interin. Klubi italian ka zyrtarizuar marrëveshjen që e lidh lojtarin me skuadrën zikaltër deri në verën e vitit 2028.
Sulmuesi i krahut të djathtë, i cili këtë muaj mbush 17 vjeç, po vlerësohet gjerësisht në Itali si një nga talentet më premtues të akademisë së Interit. Media dhe specialistë të futbollit e përshkruajnë atë si një nga “xhevahirët” e sektorit të të rinjve të klubit milanez.
Vetë Gjeci ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shprehur entuziazmin për këtë moment të rëndësishëm në karrierën e tij.
“I nderuar për të nënshkruar kontratën time të parë profesionale me këtë klub. Rruga është akoma e gjatë, por drejtimi është i duhuri. Forca Inter”, ka shkruar ai.
Deri më tani, Gjeci ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Italisë, konkretisht ekipit U-17. Mbetet për t’u parë nëse në të ardhmen sulmuesi i lindur në Itali do të vendosë të ndryshojë përfaqësuese dhe të zgjedhë të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Karriera e tij është ende në hapat e parë, por nënshkrimi i kontratës profesionale me një klub si Interi shihet si një sinjal i qartë i besimit që klubi ka ndaj potencialit të tij.
Lini një Përgjigje