TAGS-AT E JAVËS

Sport17 Janar 2026, 20:46

Bajerni bën “manita”, bavarezët mposhtin me përmbysje spektakolare Lajpcigun dhe vendosin njërën dorë te titulli

Shkruar nga Pamfleti

Bajerni bën “manita”, bavarezët mposhtin me përmbysje

Bajerni i Mynihut fiton 1-5 në transfertën ndaj Lajpcigut në “Red Bull Arena”, e vlefshme për javën e 18 në Bundesligë. Ndeshja filloi me një ceremoni nderimi për Kevin Kampl, i cili pak ditë më parë njoftoi tërheqjen nga futbolli.

Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Lajpcigun. Romulo Kardoso kaloi në avantazh vendasit pas një aksioni të bukur dhe asistit të David Raum, në minutën e 20.

Bavarezët e nisën pjesën e dytë me një zëvendësim të detyruar, Xhoshua Kimish la fushën e lojës dhe në vend të tij hyri Leon Gorecka. Në vijim pritet të mësohet më shumë për dëmtimin e Kimish. Në 45 minutat e dyta ndodhi përmbysja e madhe e bavarezëve.

Në minutën e 50, Serzh Gnabri barazoi shifrat pasi gjeti golin pas një asisti të bukur të Dazhot Upamekano. Në minutën e 67, Majkëll Olize asistoi, Herri Kejn duke përfituar nga një mungesë vëmendjeje e mbrojtësit vendas, dërgoi topin në rrjetë. 10 minutat e fundit të kohës së rregullt ishin spektakël më vete, ku Bajerni shënoi edhe 3 gola të tjerë.

Në minutën e 83 ishte Xhonatan Tah që vulosi fitoren me golin e tij, pas asistit të Majkëll OIize, i dyti asist për francezin në këtë ndeshje. Olize krosoi në zonë, Tah shënoi me kokë. Dy minuta më pas ishte radha e Aleksandir Pavloviç për të shënuar, sërish asist i Olize.

Në minutën e 88, i rikthyeri Jamal Musiala, pas dëmtimit që e la jashtë fushës për një kohë të gjatë, u bë direkt protagonist, duke asistuar për Olize, francezi gjen rrjetën, pas 3 asisteve që dha.

Pas kësaj fitoreje, Bajerni kryeson me 50 pikë, 11 më shumë se Dortmundi i vendit të dytë. Lajpcigu mbetet në vendin e 4 me 32 pikë.

bajerni i mynihut lajpcig bundesliga

Lini një Përgjigje