TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Tetor 2025, 22:47

Atalanta dhe Komo ndajnë pikët, paqe mes Gjimshitit dhe Vojvodës

Shkruar nga Pamfleti

Atalanta dhe Komo ndajnë pikët, paqe mes Gjimshitit dhe Vojvodës

Atalanta ka barazuar 1-1 ndaj Komos, në sfidën e luajtur në Bergamo, e vlefshme për javën e gjashtë të Serisë A. Bergamaskët gjetën golin pas 5 minutash lojë, ku Lazar Samarxhiç e nisi vetë aksionin dhe e përfundoi në mënyrën ideale, duke gjetur rrjetën.

Komo e drejtuar nga Çesk Fabregas barazoi shifrat me Maksimo Perrone në minutën e 18. Mesfushori i Komos duke përfituar nga një top i humbur nga vendasit, krosoi në zonë dhe ideja ishte të asistonte për shokun e skuadrës, por në mënyrë të habitshme topi u përplas në shtyllë dhe përfundoi në rrjetë.

Portieri i Atalantës, Marko Karnezeki, mund të kishte bërë më mirë, por u tregua i pavëmendshëm. Rezultati i pjesës së parë dhe i gjithë takimit, 1-1. Berat Gjimshiti luajti si zakonisht titullar dhe u ndëshkua me karton të verdhë. Në anën tjetër ishte titullar edhe Mërgim Vojvoda për Komon, i cili luajti për 70 minuta.

Pas këtij barazimi, Atalanta mban vendin e gjashtë me 10 pikë, Como vendin e shtatë me 9 pikë.

atalanta komo seria a

Lini një Përgjigje