
Liga e Europës dhe Liga e Konferencës kanë mbyllur ndeshjet e kthimit të fazës gjysmëfinale. Në Ligën e Europës, Aston Vila është kualifikuar në finale, pasi ka përmbysur rezultatin 1-0 të ndeshjes së parë dhe në sfidën e kthimit ka mposhtur me rezultatin e pastër 4-0 Notingam Forest.
Oli Uotkins zhbllokoi ndeshjen në minutën e 36 për anglezët. Në minutën e 58, Emilio Buendia dyfishoi shifrat. Ai që vulosi kualifikimin e ekipit të drejtuar nga Unai Emeri ishte Xhon MekGin me golat e realizuar në minutën e 77 dhe 80.
Në ndeshjen tjetër, Frajburgu mposhti 3-1 Bragën dhe i bashkohet Aston Vilës. Lukas Kybler zhbllokoi shifrat në minutën e 19, ndërsa në minutën e 41 Johan Manzambi dyfishoi shifrat për gjermanët.
Në minutën e 72, Kybler realizoi golin e tretë për Frajburgun dhe dopietën personale në këtë takim. 7 minuta më vonë, Pau Viktor ngushtoi shifrat për portugezët por goli i tij vlejti vetëm për statistikë, pasi ndeshja e parë e luajtur në Portugali u mbyll me fitoren e Bragës me shifrat 2-1.
Finalja mes Aston Vilës dhe Bragës do të luhet më 20 maj në Stamboll.
Në Ligën e Konferencës nuk pati surpriza. Kristal Palas mposhti 2-1 Shaktar Donjeckun dhe pret biletën për finale. Pedro Henrike i dha avantazhin anglezëve me autogolin e tij në minutën e 25. Në minutën e 34, Eguinaldo barazoi shifrat për ukrainasit, por goli i tij vlejti vetëm për statistikë. Ismaila Sarr gjeti golin e avantazhit për Kristal Palas.
Ndeshja e parë e luajtur në Ukrainë ishte mbyllur me fitoren e anglezëve me shifrat 3-1.
Ndeshja tjetër, ajo mes Strasburgut dhe Rajo Vajekanos së Ivan Balliut ishte fotokopje e ndeshjes së parë, pasi edhe sfida e luajtur në Francë u mbyll 1-0.
Goli i vetëm që i dha finalen spanjollëve erdhi në minutën e 42 me Aleksandër Zuravskin. Në minutën e 90+4, Hulio Enciso pati shansin për të barazuar shifrat për ekipin francez, por lojtari i Strasburgut u tregua i pasaktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Në finalen e 27 majit që do të luhet në Lajpcig, Rajo Vajekano do të ndeshet me Kristal Palas.
Lini një Përgjigje