
Arsenali duket se është dorëzuar përfundimisht në garën për titullin në Premier Ligë. “Topçinjtë” janë të fokusuar te Champions League, ku të mërkurën e ardhshme do të përballen me Realin në ndeshjen e kthimit në “Santiago Bernabeu”.
Arsenali barazoi 1-1 në “Emirates” ndaj Brentfordit, ndeshjen e vlefshme për javën e 32 në Premier Ligë. Vendasit gjetën golin me Kieran Tiernej në minutën e 26, i cili shënoi me kokë, por u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje. Pjesa e parë u mbyll 0-0.
“Topçinjtë” gjetën golin me Tomas Parti në minutën e 60, pas asistit të Deklan Rajs, ndërsa miqtë barazuan shifrat me Joan Visa në minutën e 73, i cili shënoi një gol të bukur me gjysmë kthesë.
Pas këtij barazimi, Arsenali renditet i dyti me 63 pikë, 10 pikë më pak se Liverpuli. “Të kuqtë” kanë mundësinë nesër të shkojë në 13 pikë nëse fitojnë në shtëpi ndaj Uest Hemit.
Lini një Përgjigje