
Trajneri spanjoll, Mikel Arteta ka nënshkruar një kontratë të re trevjeçare me klubin londinez, Arsenal.
Spanjollit do t'i mbaronte kontrata në fund të sezonit, por tani është zotuar për një marrëveshje deri në vitin 2027, përpara derbit të Londrës veriore të së dielës në Tottenham.
“Ndihem jashtëzakonisht krenar, shumë i emocionuar dhe mezi pres atë që do të vijë më pas. Ndihem jashtëzakonisht me fat që punoj çdo ditë me njerëz të mirë dhe ambicien që kemi këtu. Ndihem shumë i frymëzuar, ndihem i sfiduar, ndihem i mbështetur dhe dua të bëj shumë më tepër se çfarë kemi bërë tashmë së bashku”, tha Arteta.
Topçinjtë emëruan Artetën, i cili kishte punuar si zv/trajner nën drejtimin e Pep Guardiolës në Manchester City në atë kohë, për të zëvendësuar bashkatdhetarin Unai Emery si trajner në dhjetor 2019.
Ai udhëhoqi Arsenalin drejt fitores në finalen e Kupës FA në fund të sezonit 2019-2020 për të fituar trofeun e tij të parë të madh si trajner.
Arsenali ka përfunduar i dyti pas Manchester Cityt në Premier League në dy sezonet e fundit, ndërsa 42-vjeçari përpiqet ta drejtojë klubin drejt titullit të tij të parë në ligën e parë që nga 2003-04.
“Mikel është një menaxher dinamik dhe pasionant, i cili është i pamëshirshëm në ndjekjen e përsosmërisë. Ai ka një kuptim të thellë të vlerave të Arsenalit dhe që kur u bashkua me ne si trajner në dhjetor 2019, ai e ka çuar skuadrën në një nivel tjetër në mënyrën e Arsenalit”, shtoi bashkëkryetari i Arsenalit, Josh Kroenke.
Drejtori sportiv i Gunners Edu shtoi se kontrata e Artetës i dha klubit "stabilitet dhe drejtim të qartë ndërsa synojmë lartësi të reja".
Pas tre ndeshjeve këtë sezon, Arsenali është i katërti, pasi i ka fituar dy ndeshjet e para kundër Wolves dhe Aston Villa përpara se të barazohet nga Brighton.
Lini një Përgjigje